Hyseni: Bolsheviku Kurti nuk i beson as Glaukut

Anëtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni ka reaguar pas ndërrimi të statutit të VV’së duke thënë se Albin Kurti nuk i beson as Glauk Konjufcës, shkruan Periskopi. “Për udhëheqësin bolshevik që i atribuon vetes detyrën e përfundimit të historisë, asnjë nuk përmbushë dot këtë rol përveç atij. Secili mund të korruptohet, mashtrohet, ose lodhet. […]
“Për udhëheqësin bolshevik që i atribuon vetes detyrën e përfundimit të historisë, asnjë nuk përmbushë dot këtë rol përveç atij. Secili mund të korruptohet, mashtrohet, ose lodhet. Asnjërit nuk i besohet, as Glaukut besnik”, ka shkruar ai.
Tutje Hyseni shkruan se askush nuk e di se çfarë ka ndodhur sot në mbledhjen e Këshillit të VV-së.
Shkrimi i tij i plotë:
Heshtja si simptomë
Askush nuk e di çfarë ka ndodhur sot në mbledhjen e Këshillit të VV-se. A e ka ndërruar VV Statutin e Partisë për t’ia mundësuar Kurtit pozitën e Kryetarit të Partisë, duke qenë njëkohësisht Kryeministër, apo jo? Janë mbi 200 delegatë aty. Tamam puna me rrjedhë ndonjë informacion në publik për punët e Partisë. Jo vetëm sot, ka 2 muaj që flitet për këtë punë, por asnjë fjalë nga Partia.
Janë dy mënyra sesi subjektet si VV ndërtojnë marrëdhënien me publikun. Ritualet publike pranuese e vetëkritike ku shohim farsën e harmonisë midis subjektit dhe publikut, dhe heshtja në anën tjetër. Heshtja është vendi i pushtetit. Aty ku pushteti fshihet.
Kurti nuk e ka asnjë nevojë për pozitën formale të Kryetarit, Ai do të jetë udhëheqës i VV- se gjithë jetën, pavarësisht kësaj pozite. Në anën tjetër, kështu ka qenë me gjithë liderët. Edhe Mustafa, Haradinaj e Thaçi mbanin njëkohësisht dy postet. Pse ky ngërq kur emri i Kurtit është njësuar me partinë? Partia sipas ortodoksisë bolshevike është nocioni që garanton kornizat shpjeguese për gjithça: shtetin, shoqërinë, historinë e aktualitetin. Partia është Tjetri i Madh, ajo që na legjitimon gjithçka.
Për udhëheqësin bolshevik që i atribuon vetes detyrën e përfundimit të historisë, asnjë nuk përmbushë dot këtë rol përveç atij. Secili mund të korruptohet, mashtrohet, ose lodhet. Asnjërit nuk i besohet, as Glaukut besnik. Nëse dëshironi ta njihni kryeministrin e ardhshëm dhe pushtetin e VV-së në përgjithësi, shikojeni Partinë. Heshtje.












