Hilet e VV-së: Ia shkulën gjuhën Bahtirit, Glauku si spiun, Sveçla takon regjimin kriminal

Një javë tjetër po mbaron sot. Një javë që solli borën e parë, që e zhvirgjëroi Vetëvendosjen sa i përket raportit me regjimin e Vuçiqit, që e bëri Agim Bahtirin lexues të Uilliam Shakespirit, dhe që na tregoi se si nxënësit tanë nuk dinë as të lexojnë. Një javë tjetër pa qeveri, edhe pas dy […]
A iu kujtohet periudha e para-certifikimit të subjekteve politike për të garuar në zgjedhjet e 6 tetorit? Vetëvendosje dhe LDK jepnin idenë “e rreme” se mund të bënin koalicion para-zgjedhor. Këto dy parti nuk kanë arritur marrëveshje edhe dy muaj pas zgjedhjeve duke na e shfaqur ‘cullak’ rrenën e tyre të madhe: koalicioni parazgjedhor kurrë s’mund të ishte formuar. Kështu që, VV duhet t’i falet sherreve që parandaluan një koalicion tjetër mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, sepse këto parti do të fitonin lehtësisht, sërish.

“Ndryshimi” në qeverisje që thuhet se e kërkonin qytetarët në fakt ishte një tjetër mashtrim. Ndoshta vërtet kishim nevojë për ndryshim, por qytetarët i dhanë pesë deputetë më shumë partive të PAN-it, dhe katër deputetë më pak Vetëvendosjes. Si dhe, a mund të themi se Vetëvendosje është parti e ndryshimit?
Ende pa u rrasur mirë në pushtet, kjo parti politike duke se po vepron sipas udhëzimeve të partive të deritashme. Glauk Konjufca, si të ishte deputet i PDK-së e jo i Vetëvendosjes, tradhtoi hapur partnerin potencial në qeveri, ende pa u formuar kjo qeveri, duke treguar bisedime të brendshme. Ai vetëm sa i forcoi fjalët e shumë njerëzve që e lidhnin atë me Shërbimin Informativ të Kosovës [ShIK] duke e bërë një spiunllëk që nuk u pa me sy të mirë nga LDK-ja. Dhe në këtë pikë, kjo parti kishte të drejtë.

LDK-ja ende vazhdon të besojë në arritjen e një koalicioni. Edhe Lëvizja Vetëvendosje. Por, çështja e presidentit të vendit thuhet se po i ndan. Vetëvendosje, edhe pse e ka pozitën e kryeministrit, dhe edhe pse me vetëm 1,5 për qind më shumë se partneri i saj, nuk po heqë dorë. Ndryshimi? Epo, pushteti është më i shijshëm se çfarëdo lloj ndryshimi.
Kjo parti politike thuhet se e ka të preferuar për president Rexhep Qosjen, një shkrimtar kontrovers që në 30 vitet e fundit e ka pasur një armik të madh, pak-a-shumë si Don Kishoti “mullinjtë e erës”, LDK-në.
Epo, çka të bëjmë. Rrethanat politike në Kosovë duket se janë një fabrikë e madhe që merret me prodhimin e vazhdueshëm serik të lëmshit.
Për ta lehtësuar paksa përjetimin e lëmshit u përkujdes natyra, apo zoti, që e lëshoi një furtunë bore mbi Prishtinë dhe Kosovë. Disa orë kënaqje nga shëmtia e qyteteve në të cilat jetojmë.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës u zhyt në një lëmsh të madh. Zëvendës-sekretari i saj, Arianit Ahmeti, i mblodhi disa nënshkrime për të kërkuar shkarkimin e Agim Ademit, i cili akuzohet për vepra shumë të rënda penale. Por, disa eksponentë të fuqishëm e interpretuan këtë si ndikim të politikës në futbollin tonë. Ndërkohë, Ahmeti tregoi se në fakt Agim Ademi ishte i lidhur me politikën. Reagoi FIFA. Reagoi UEFA. Dhe lëmshi vazhdon edhe në këtë institucion që qeveris futbollin në vendin tonë.
Por, ngjarja më e bujshme ndodhi mbrëmë. Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes u fotografua afër shërbëtorit më të ndyrë të regjimit të Vuçiqit, Marko Gjuriqit. “Ne nuk ikim nga tavolina,” – deklaroi i njëjti që ndoshta ka shkarravitur muret e ndërtesave në Kosovë me parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje!” Po i njëjti që bërtiste duke sharë liderët e Kosovës, në një farë vakti, vetëm pse takoheshin në Bruksel me zyrtarët e regjimit që mohon masakrat dhe krimet e bëra në Kosovë.

Një fshat që duket nuk do kallauz!
E për të arsyetuar këtë e lodhën një njeri që njihet se nuk di të flas e të shkruajë mirë, Agim Bahtirin. Bile, shkuan aq larg sa ia bënë një status pa gabime të theksuara drejtshkrimore, duke e përmendur veprën e Uilliam Shejkspirit [Shakespeare], “Shumë zhurmë për asgjë!” Por përveç kësaj, metoda më e mirë për Bahtirin dhe VV-në ishte që thjesht ta dëbonin kritikën ndaj tyre për takimin me Gjuriqin si “kritikë e PDK-së ose e eksponentëve”. Epo, 80 për qind e njerëzve në Kosovë nuk janë me PDK-në, dhe në sferën tonë politike nuk ekzistojnë vetëm dy pole. Për më tepër, është krejtësisht e padrejtë nga Vetëvendosje që t’i prish autenticitetin gjuhës që e flet Bahtiri, mjaft e pasur nëse përzëmë nga mendja snobizmin tonë.

A mendoni se Agim Bahtiri ka lexuar Shejkspirin? A mendoni që Agim Bahtiri di të shkruajë kështu? Mosni iu lutem!
E kur jemi te Bahtiri, testi PISA na renditi sërish në vendin e para-parafundit. Natyrisht, përderisa jemi aq budallenj sa të mashtrohemi nga secili që vjen në pushtet, kjo nuk është çudi. “Dritarja këndon me zë të lartë?” – ishte njëra ndër pyetjet ku kërkohej nga nxënësit të thoshin se a kishte kuptim apo jo. Përderisa dikush mund të mendojë se Agim Bahtiri ka lexuar Shejkspirin, atëherë natyrisht që edhe dritarja mund të këndojë me zë të lartë. Pse jo, fundja?












