Erdogan më fuqishëm se të gjithë: Handke është racist, u shpërblye shkelja e të drejtave të njeriut

Presidenti autoritar turk mund të mos i pëlqejë shumë njerëzve për shumë gjëra, por padyshim se do t’i pëlqejë për deklaratat e tij të forta kundër shkrimtarit kontrovers austriak Peter Handke. Ai e dënoi hapur ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 për Peter Handken, mbështetësin e politikave të ish-diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq. […]
“Dhënia e Çmimit Nobel në Letërsi një personi racist nuk do të thotë asgjë tjetër përpos shpërblim i shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha Erdoğan në një mesazh me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut.
Handke njihet si një admirues i madh i Millosheviçit, i cili vdiq në vitin 2006 në gjykatën ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.
Austriaku madje i kishte shkuar edhe në varrim diktatorit serb i njohur edhe si “Kasapi i Ballkanit”.
Ai po ashtu është mohues e gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.
Handke ka pretenduar se boshnjakët muslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk beson se serbët kanë kryer genocid në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency, përcjell Klan Kosova.
Handke gjithashtu kishte vizituar Millosheviçin në burg dhe ishte përpjekur të dëshmojë në favor të tij.
“Unë jam këtu për Jugosllavinë, për Serbinë, për Sllobodan Millosheviçin”, ishte shprehur Handke në një eulogji të vitit 2006 për Millosheviçin.
Me fitimin e Çmimit Nobel, Handke do të marrë gjithashtu 9 milionë krona suedeze (952.000 dollarë), si dhe një medalje dhe një diplomë.












