Radio KFOR-i shënon 20-vjetorin e themelimit

Me një ceremoni solemne sot Radio KFOR-i ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, me ç’rast u tha se kjo radio për 20 vite ka kultivuar paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën shumetnike ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë. Programet e radiostacionit filluan të transmetohen në vitin 1999, në periudhën pas konfliktit në Kosovë, për t’i ofruar popullatës informata, […]
Programet e radiostacionit filluan të transmetohen në vitin 1999, në periudhën pas konfliktit në Kosovë, për t’i ofruar popullatës informata, në kohë dhe të paanshme, mbi KFOR-in dhe çështjet e sigurisë, si dhe në gjuhën shqipe e serbe, së bashku me programe muzikore.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi, tha se Radio KFOR-i përmes programeve të saj ka demonstruar shembuj konkret të integrimit shumetnik, paqes dhe tolerancës gjatë gjithë këtyre viteve të kontributit të vazhdueshëm të NATO-s në stabilitetin rajonal.
“Sot është një përvjetor fantastik, 20 vjet jetë për radion tonë të jashtëzakonshme që fillojë të transmetohej në vitin 1999 në gjuhën shqipe dhe serbe, për t’iu adresuar të gjitha komuniteteve. Më mirë të themi disa muaj pasi NATO i dha fund konfliktit në Kosovë, që atëherë ju njerëzit e Radio KFOR-it keni qenë zëri dhe shpirti i KFOR-it, një zë që ka dërguar mesazhe paqeje, rindërtimi dhe shprese. Por, Radio KFOR ka transmetuar edhe programe të këndshme muzikore dhe argëtuese, që kanë evoluar me shijen dhe kërkesat e publikut. Ju keni shoqëruar dhe vazhdoni të shoqëroni jetën e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, ju jeni rritur si pjesë pozitive e peizazhit të Kosovës. Radio KFOR-i ka fituar këtë popullaritet edhe fal cilësisë së ekipit, që vazhdimisht po punon për të krijuar besim, për të informuar njerëzit për aktivitetet dhe nismat e KFOR-it dhe është i interesuar të përfshijë dëgjuesin në jetën shoqërore, gjegjësisht që nga koha kur Radio KFOR-i ishte një nga zërat e pakët që fliste mbi zhvillimet e sigurisë në Kosovë”, tha ai.
Komandanti Risi theksoi se fushatat që KFOR-i lanson, janë mesazhe thelbësore që pasqyrojnë vlerat themelore të KFOR-it.
“Më ka lënë mbresa të mëdha numri dhe cilësia e fushatave të KFOR-it, të cilat janë mbështetur nga Radio KFOR-i. Ato kultivojnë tolerancën ndër etnike, rrisin vetëdijesimin mbi kërcënimet e shkaktuara nga minat dhe mjetet plasëse, mbështesin luftën kundër dhunës në baza në gjini dhe vejnë në pah projektet e rindërtimit të kryera në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe të KFOR-it. Këto janë mesazhe thelbësore që pasqyrojnë vlerat tona themelore, tregojnë përkushtimin tonë për një Kosovë më të mirë. Që nga viti 1999 shumëçka ka ndryshuar në Kosovë, edhe me KFOR-in, por Radio KFOR-i ka ruajtur frymëzimin e saj origjinal për popullin dhe për paqen”, tha Risi.
Ai tha se tregimi i Radio KFOR-it është prekës, dhe u shpreh se është i sigurt se një ditë edhe një film do të bëhet për të. Rise theksoi se tregimi i Radio KFOR-it është një storie e suksesit për KFOR-in dhe NATO-n.
Kurse, menaxherja e Radio KFOR-it, Emina Hyseni tha se është krenare që po e shënojnë 20 vjetorin e Radio KFOR-it, radio e cila rrugëtimin e saj e filloi në vitin 1999, si një zë i fuqishëm i misionit të KFOR-it.
“Përvjetorët janë një mundësi e mrekullueshme për të festuar, por edhe për të reflektuar në lidhje me punën dhe arritjet e kaluara, në mënyrë që të kuptojmë dhe të përcaktojmë drejtimin tonë në të ardhmen. Radio KFOR është instrument që ofron mundësi që njerëzit të jenë mendje hapur. Kjo radio ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, ajo tregon përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur me veprime konkrete qëllimet e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe shumetnike, ku toleranca, bashkëpunimi dhe barazia zbatohen në praktikë në jetën e përditshme, në të gjitha fushat e saj”, tha ajo.
Hyseni premtoi se do të vazhdojnë të punojnë fortë që edhe në të ardhmen të jenë zëri i fuqishëm i misionit të KFOR-it për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë.
Në shënimin e 20 vjetorit të themelimit, është bërë edhe përurimi i ndërtesës së re të radiostacionit dhe u bë prezantimi i himnit të Radio KFOR-it, i kënduar nga dy vajza të komunitetit shqiptar dhe të komunitetit serb të Kosovës.
Në këtë ceremoni të shënimit të 20 vjetorit janë shpërblyer edhe dëgjuesit e Radio KFOR-it, të cilët kishin marrë pjesë në aktivitetin “Road Show”, duke dhënë mesazhe për paqen, tolerancën dhe Radio KFOR-in, raporton KosovaPress.












