Ambasada Amerikane mbështet mini-schengenin, Kosova duhet të jetë pjesë e tij

Samiti i Tiranës që u mbajt më 23 dhjetor të këtij viti, ishte i treti më radhë drejt konkretizimit të Mini-shengenit Ballkanik. Liderët e tri vendeve ballkanike, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kishin rënë në ujdi rreth projektit për Shengenin rajonal, duke e […]
Samiti i Tiranës që u mbajt më 23 dhjetor të këtij viti, ishte i treti më radhë drejt konkretizimit të Mini-shengenit Ballkanik.
Liderët e tri vendeve ballkanike, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kishin rënë në ujdi rreth projektit për Shengenin rajonal, duke e parë si strategji që jo vetëm do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik e shoqëror të rajonit, por edhe kohën e anëtarësimit në BE.
Por, në këtë samit, për të të dytën herë ka refuzuar të jetë pjesë e tij, presidenti i vendit Hashim Thaçi. Herën e parë Thaçi kishte refuzuar pjesëmarrjen në samitin e dytë që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, i njohur si Samiti i Ohrit, për faktin se kur ky samit u mbajt në Serbi për herë të parë Kosova ishte anashkaluar.
Presidenti Thaçi mospjesëmarrjen në samitin e Tiranës, ka arsyetuar me faktin se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe tani përveç që mohon masakrat, vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë.
“Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal”, ka deklaruar presidenti Thaçi.
Kundërshtimet në Kosovë për mbajtjen e samitit të Tiranës ishin të fuqishme. Disa prej tyre edhe me tone histerie ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, të cilin madje e kryqëzuan edhe si tradhtar të kombit.
Përveç kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, reagime e kundërshtime ka pasur edhe nga liderë të partive politike në Kosovë, si ai i LDK-së Isa Mustafa.
Madje Mustafa ka thënë se ideja e Kryeministrave Rama, Zaev e Vuçiq për Mini-Shengenin, duke thënë se po ndërtohet Jugosllavia e re, me Shqipërinë pjesë e saj, por pa Kroacinë dhe Slloveninë.
Për çështjen e minishengenit Ballkanik i ka dalë ‘vakt’ të deklarohet edhe Akademia e Shkencave të Kosovës.
AShAK konstaton se një nismë e tillë ka për qëllim rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit.
Por çfarë thotë mbështetësi më i madh ndërkombëtar i shqiptarëve, ShBA rreth minishengenit?
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ideja për bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë e mirëpritur.
Në një deklaratë të lëshuar në nëntor të këtij viti, ShBA-ja madje thotë se Kosova duhet domosdoshmërisht të jetë pjesë e minishegenit të Ballkanit, që mundëson pastaj lëvizjen e lirë dhe mundësi të tjera ekonomike për të gjitha vendet e përfshira.
“Ne mirëpresim iniciativën e ‘mini-Shengenit’ të Ballkanit Perëndimor; si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe tregtisë. Ne besojmë që kjo iniciativë që të jetë e suksesshme, duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë Qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar të gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Gjermani.
Kujtojmë se për reagimet e furishme të politikanëve, analistëve e qytetarëve në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dy ditë më parë teksa ka falënderuar’ të gjithë ata që e kanë sharë, kishte ngritur edhe një pyetje:
“Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit! Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?”, ka pyetur Rama./Periskopi/
Deklarata e ambasadës së ShBA-së në gjermani e lëshuar më 14 nëntor të këtij viti.
https://de.usembassy.gov/statement-on-western-balkans-mini-schengen/?fbclid=IwAR3SxgKZMwO2U7MQY288GBNk47Bef8yMt5ovQv7XirN_50Yn11yPVIXDICw












