2 muaj nga zgjedhjet, Presidenti po u jep kohë LDK-së dhe LVV-së që të arrijnë marrëveshje

Sot janë bërë 2 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Kosovë, ndërsa vendi ende nuk ka formuar institucionet. Me të drejtë, zgjedhjet e 6 tetorit janë cilësuar maratonike për shkak të njëherë, shpalljes së rezultatit final, e deri të negocimet e LVV-së dhe LDK-së për formimin e Qeverisë, të cilave nuk […]
Sot janë bërë 2 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Kosovë, ndërsa vendi ende nuk ka formuar institucionet.
Me të drejtë, zgjedhjet e 6 tetorit janë cilësuar maratonike për shkak të njëherë, shpalljes së rezultatit final, e deri të negocimet e LVV-së dhe LDK-së për formimin e Qeverisë, të cilave nuk po u shihet fundi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 27 nëntor, pas një seri ankesash në PZAP dhe Gjykatë Supreme nga partitë politike.
Kryetari i partisë e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, pati deklaruar se pas certifikimit të rezultateve, nuk do të kalojnë më shumë 48 orë që LVV dhe LDK do të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion.
Por tashmë gjithçka ka ndryshuar në këtë sferë. Mosmarrëveshjet në mes këtyre partive janë thelluar, kur çështja erdhi deri te ndarja e posteve.
Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që në marrëveshjen me LVV-në të përfshihet edhe posti i Presidentit, ndërsa ka shfaqur preferenca edhe për ministri, siç është ajo e Punëve të Brendshme.
Në fillim të kësaj jave pati një takim mes Kurtit dhe Mustafës i cili rezultoi pa marrëveshje, ndërsa që nga ajo ditë takimet janë pezulluar. Ajo çfarë ka pasuar nga ajo ditë janë vetëm deklaratat publike të zyrtarëve të të dy partive, të cilat në një farë mënyre kanë treguar se asnjëra palë nuk është e gatshme të bëjë kompromis.
Nënkryetarja e LVV-së Albulena Haxhiu, mbrëmë e ka bërë të qartë se LVV nuk do të diskutojë çështjen e postit të Presidentit me LDK-në. Ndërsa, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka thënë se nëse Vetëvendosje nuk pranon të zgjidhet tani çështja e presidentit LDK do të shkojë në opozitë.
“Ne nuk pranojmë opsione të tjera të zgjidhjes së problemit, që del jashtë këtij formati të bisedimeve”, deklaroi Haziri.
Roli i Presidentit në formimin e institucioneve?
Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Presidenti i vendit është i obliguar që pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, brenda afatit kohor prej 30 ditësh të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, i bie që data e fundit për konstituimin e Kuvendit është 25 dhjetori.
Para këtij afati, Presidenti poashtu duhet t’i thërrasë partitë politike në konsultime për caktimin e seancës konstituive.
I pyetur se pse ende presidenti i vendit nuk i ka ftuar ende subjektet politike në takim, analisti Arton Demhasaj i ka thënë Periskopit se Presidenti Hashim Thaçi është duke u dhënë kohë të dy partive që të merren vesh për koalicionin.
“Me gjasë Presidenti po pret që ndoshta me pas një marrëveshje qe të mos pengohet procesi i konstituimit”, tha Denhasaj.
Ai ka sqaruar se 30 ditë nga certifikimi i rezultateve, Presidenti duhet t’i ftojë partitë politike në konsultime, pastaj pason me zgjedhjen e organeve legjislative. Ndërsa pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i jep mandatarin partisë së parë që ka dalë në zgjedhje,15 ditë më pas.
Në bazë të nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.
Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit).
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë. /Periskopi/












