Zenun Pajaziti në seancë për rastin ‘Pronto’, ja çka tha para prokurores

“Është për keqardhje nga ana e prokurores që dy vite mos me pas ndonjë pyetje lidhje me inkriminimin tim”, ka qenë deklarata e ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, në seancën e së hënës, në gjykimin e rastit “Pronto”, pasi ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, lidhur […]
“Është për keqardhje nga ana e prokurores që dy vite mos me pas ndonjë pyetje lidhje me inkriminimin tim”, ka qenë deklarata e ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, në seancën e së hënës, në gjykimin e rastit “Pronto”, pasi ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, lidhur me bisedat telefonike të cilat janë pjesë e aktakuzës.
Së bashku me Pajazitin, në rastin e njohur si “Pronto”, po akuzohen edhe ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë mbrojtjes së tij, Pajazti deklaroi se biseda me tij dhe të akuzuarit Adem Grabovci nuk ka të bëjë fare me atë çfarë është implikuar ai, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjet që kishin të bënin me ato përgjime.
“Mbrojta ime konsideron se kjo provë apo kjo bisedë telefonike është e paligjshme. Arsyeja tjetër e imja personale është se mendoj se për 2 vite, përsëritja e vazhdueshme e mediumeve të caktuara të kësaj bisede telefonike, ka dëmtuar imazhin tim dhe meqenëse unë e kam dhënë një deklaratë te prokurorja e nderume, mendoj se unë duhet të përgjigjem me pyetjet tjera që kanë të bëjnë me akuzën apo çështjen për çka unë akuzohem, por dëshiroj të kursej veten dhe familjen time me ritransmetimin të asaj bisede e cila nuk ka të bëjë fare me atë çfarë jam implikuar unë”, ka thënë i akuzuari Pajaziti.
Prokurorja Hajdari e ka pyetur të akuzuarit lidhur me bisedën telefonike të 6 dhjetorit 2011, në të cilën sipas saj thuhet se Adem Grabovci ia paraqet të akuzuarit disa emra, dhe atë, Vjollca Sinani, Xhelal Sinani, Abdyl Hasahni, Shaqir Ukshini, Vier Arifi, Ali Ismaili, Naim Mulaj, Xhafer Xhelili, duke shtuar se gjatë bisedës Grabovci i thotë se e ka thirrur për këtë punë, pasi janë shumë emra.
“Kjo as nuk ka qenë në kompetencë time dhe nuk ka asnjë veprim të vetëm që e kam ndërmarrë lidhur me çështjen. Do të kishte qenë krejtësisht e justifikueshme kjo bisedë telefonike, nëse do ta kisha pasur farë do lloj argumenti se ka ndodhur ndonjë veprim imi personal lidhur me këto emërime që nuk kanë qenë aspak në kompetencën time si deputet, për çka nuk kam pasur dhe nuk kam njohuri”, ka thënë i akuzuari.
Tutje, Pajaziti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e prokurores speciale lidhur me vëllain e tij, Gzim Pajazitin, i cili sipas saj përmendet në biseda telefonike për t’u emëruar si anëtar i Bordit të drejtorëve në ndërmarrjen publike “Hidro-Morava” në Gjilan, duke shtuar se qëndrimet e tij do ti paraqet në fjalën përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca është duke vazhduar ende. /Betimiperdrejtesi/












