Veton Surroi ministër i Punëve të Jashtme: Ja çka thotë LDK-ja

Emri i publicistit milioner, Veton Surroi, ditëve të fundit përmendur për postin e ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e ardhshme që pritet ta formojnë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), shkruan Periskopi. Por në LDK thonë se përfshirja e Surroit në kabinetin e ardhshëm qeveritar nuk është diskutuar asnjëherë. Nënkryetari […]
Por në LDK thonë se përfshirja e Surroit në kabinetin e ardhshëm qeveritar nuk është diskutuar asnjëherë.
Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu në një bisedë për Periskopin ka mohuar që gjatë bisedimeve ndërmjet partnerëve të koalicionit të ardhshëm qeverisës të jetë përmendur emri i Surroit si opsion për kryediplomatin kosovar.
“Nuk kom kurrfarë komenti unë për këtë punë, kjo çështje nuk është bisedu me LDK’në”, u shpreh Veliu për Periskopin.
Përfshirja e Surroit në Qeverinë e ardhshme të Kosovës megjithatë ka ngritur reagime të figurave me ndikim në vend.
Gazetari Adriatik Kelmendi mendon se shefi i tij është ideal për postin e Ministrit të Jashtëm.
“Në situatën në të cilën ndodhet Kosova dhe shqiptarët aktualisht, më të denjë dhe më të thirrur për postin e ministrit të Jashtëm se Veton Surroi nuk ka”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Por ndryshe nga Kelmendi mendon opinionistja, njëherësh ish gazetarja Kimete Berisha.
Sipas Berishës, në rast se Albin Kurti (i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës) e emëron në çfarëdo pozite Veton Surroin, rrezikon ta humbasë simpatinë e elektoratit.
“Në atë dakik që e bën ministër (këshilltar apo çka do qoftë), Veton Surroin, dije mirë që e humb simpatinë, e ulë veten, dëshmon se s’ke ide konkrete veç abstrakte dhe se ke lexua veç filozofi dhe kotësira”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Por vet protagonisti, në një paraqitje televizive e ka mohuar të jetë propozuar për shef të diplomacisë kosovare në qeverinë e ardhshme.
Surroi e ka quajtur spekulim mediatik këtë lajm, ndërsa i pyetur nëse do ta pranonte një ofertë të tillë, ka thënë ‘se nuk bëhem pjesë e spekulimeve’.
LDK dhe VV kanë përfunduar takimet mes grupeve punuese për harmonizim të programit bashkëqeverisës.
Sipas kryetarit të LVV-së Albin Kurti, të dy partitë kanë rënë në ujdi për 80 për qind të programit. Ndërsa çështja e ndarjeve të posteve do të kalojë në nivel të liderëve të këtyre dy partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Deri atëherë mbetet të shihet se kush do ta merr postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe pozitat e tjera. /Periskopi/












