Profesoresha nga Shqipëria: Falënderoj kosovarët për solidaritetin, babai edhe rrobat e mia ia dhuroi kosovarëve

Profesoresha e ndërtimit në UBT, Egla Luca, ka falënderuar të gjithë kosovarët për solidaritetin e jashtëzakonshëm që bënë për bashkëkombësit e Shqipërisë. Ajo tha se kjo ngjarje ishte emocionuese dhe e ktheu prapa 20 vjet më parë, njofton Klan Kosova. “Solidariteti që kanë treguar shqiptarët e Kosovës i falënderoj nga zemra në emër të të […]
Ajo tha se kjo ngjarje ishte emocionuese dhe e ktheu prapa 20 vjet më parë, njofton Klan Kosova.
“Solidariteti që kanë treguar shqiptarët e Kosovës i falënderoj nga zemra në emër të të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria. Ndjesia që kam pasur gjatë gjithë ditës ka qenë shumë e fortë dhe shumë vëllazërore”.
“Ndërkohë më ka kthyer prapa kur ka ndodhur e kundërta. Në vitin 1999 ne vërtet kemi qenë të varfër por me një zemër shumë të madhe dhe kemi ndihmuar. Më kujtohet kur babai im ka ndarë teshat e mia për t’ia dhënë fëmijëve që erdhën të strehoheshin në lagjen tonë dhe kafshatën”.
“Atë ndjesi që ata atëherë e kanë ndier, po e ndiejnë shqiptarët e Shqipërisë sot dhe që nuk janë vetëm. Po ndihen sikur ai fëmija që i ka dhënë dorën dhe po i ndihmon të rimëkëmbët”.
“Faleminderit shumë të gjithë shqiptarëve të Kosovës”.
Ndërkaq, Luca në Specialen e Klan Kosovës tha se duhet bërë shumë më shumë për të përgatitur qytetarët për raste të tilla sepse sipas saj shumica janë të paedukuar në këtë drejtim.
“Duhet të fillojmë t’i edukojmë brezat e rinj se si duhet të gjenden në këso raste. Ende i jepet rëndësi më shumë estetikës së të shkruarit sesa asaj që e thotë nxënësi. Të menduarit kritik dhe kreativiteti po lihen pas dore. Personalisht mund të jemi të mirë në profesionin tonë, por nëse kthehemi të vetja dhe të pyesim se sa jemi të aftë të japim kontribut në këso raste? Atëherë ne jemi injorantë në këtë pjesë”.
“Të gjithë duhet të jemi të informuar duke filluar nga parashkollorët deri te instancat më të larta”.
Luca tha se përjetoi rëndë lajmin e tërmetit në Shqipëri derisa ajo gjendej në Kosovë. Ajo shtoi se ajo që duhet menaxhuar më mirë është pjesa e pas tërmetit sepse njerëzit janë në traumë.












