Ministri Mustafa fajëson komunat për skandalin e vjedhjes së identiteteve

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, nuk ka marrë përgjegjësinë për skandalin e vjedhjes së identiteteve të kosovarëve dhe lehtësinë që kriminel të kërkuar nga Interpoli janë pajisur me dokumente zyrtare të Kosovës. Mustafa në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka […]
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, nuk ka marrë përgjegjësinë për skandalin e vjedhjes së identiteteve të kosovarëve dhe lehtësinë që kriminel të kërkuar nga Interpoli janë pajisur me dokumente zyrtare të Kosovës.
Mustafa në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka lëshuar nënshtetësitë. Ai ka fajësuar zyret e ofiqarisë nëpër komuna për këtë skandal.
“Problemi është në ofiqari sepse ata kanë lëshuar dokumente, dhe të gjithë janë nën hetim. MPB nuk ka lëshuar nënshtetësi te këta persona, përderisa ata kanë marrë nëpër nivele komunale duke e shfrytëzuar mënyrën e ofiqarive”.
“Ata punëtor nuk janë në kuadër të MPB, por janë punëtor të komunave”, tha Mustafa.
Mustafa, thotë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka mundur t`i refuzoj dokumentet që sipas tij janë lëshuar nga komunat.
Por, kjo ministri ka sistemin AFIS, i cili ka për qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë. Por pavarësisht kësaj të paktën dy persona Nejdet Cesuroglu dhe Iskender Sale, të kërkuar nga Interpoli kishte marrë nënshtetësitë me nga dy identitete, shkruan Insajderi.
“Komunat ju kanë lëshuar certifikata, nënshtetësi edhe kur kanë ardhë në MPB na nuk kena mujt me i refuzu sepse kanë qenë dokumente origjinale, sepse i kanë regjistruar edhe nëpër libra amëz sepse i kanë regjistru ofiqarët”, tha Mustafa.
Ministri Mustafa tha se është në dijeni të këtyre rasteve dhe se hetimet kanë nisur qe dy vite.
“Unë jam konsultuar për këto raste, këto janë ne hetim qe 2 vite, mënyra e marrjes se nënshtetësisë kosovare bëhet në dy mënyra, në mënyrën e natyralizimit dhe përmes ofiqarive. Të gjitha rastet kanë qenë përmes ofiqarive asnjë nuk ka qenë përmes MPB”, tha Mustafa.












