Kurti thotë se do ta diskutojë me Brukselin Gjykatën Speciale

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni do të skadojë vitin e ardhshëm (më 2020). Megjithatë, në […]
Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni do të skadojë vitin e ardhshëm (më 2020).
Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.
Në kuadër të këtij institucioni, ndonëse intervistimet janë gjithnjë e më të shpeshta, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.
Nga organizatat e veteranëve të luftës tashmë kanë nisur thirrjet për institucionet e ardhshme të Kosovës që të refuzojnë të vazhdojnë mandatin e kësaj gjykate, para së gjithash, për shkak se e konsiderojnë të njëanshme dhe siç thonë, ajo do të gjykojë vetëm një bashkësi etnike, ndërkohë që, sipas tyre, krimet serbe në Kosovë do të mbeten të padënuara.
Njohësit e Kushtetutës së Kosovës theksojnë që vetëm një amendament i ri kushtetues mund t’ia vazhdojë mandatin Gjykatës, ndërkaq që udhëheqësit politikë po paralajmërojnë që kjo çështje do të jetë temë e diskutimit në legjislaturën e ardhshme, në Kuvendin e Kosovës.
Nga Gjykata kanë theksuar se për vazhdimin e mandatit nuk nevojiten kurrfarë hapash.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretenduesi kryesor për kryeministër të Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson që qeveria e re dhe ai si kryeministër, lidhur me këtë çështje do të shtrojnë dy diskutime.
“Njërin (diskutim) parlamentar në Kuvendin e Republikës, mbi Gjykatën Speciale, e cila ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro të taksapaguesve evropianë dhe nuk ka ngritur asnjë aktakuzë e lëre më të shpie deri në fund ndonjë proces. Dhe në anën tjetër, një diskutim me Brukselin mbi këtë ngrehinë të pazakonshme të drejtësisë. Prej këtyre diskutimeve, duhet të marrim vendimin meritor në vitin e ardhshëm”, tha Kurti.












