Kosova s’po mund të bëhet rehat me kryespiunët

Kosova s’po mund të bëhet rehat me kryespiunët

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk po mund të bëhet rehat me drejtorët e saj. Në katër vitet e fundit, katër drejtorë të kësaj agjencie kanë ofruar dorëheqjen nga kjo pozitë ose janë shkarkuar. Në janar të vitit 2015 ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas vazhdimit të mandatit të […]

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk po mund të bëhet rehat me drejtorët e saj.

Në katër vitet e fundit, katër drejtorë të kësaj agjencie kanë ofruar dorëheqjen nga kjo pozitë ose janë shkarkuar.

Në janar të vitit 2015 ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas vazhdimit të mandatit të dytë nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe presidenti, pasiqë më 4 shkurt të vitit 2009, Bashkim Smakaj ishte emëruar drejtori i parë i Agjencisë Kosovare, shkruan Periskopi.

Arsyeja kryesore për të cilën ishte shkarkuar Smakaj ka qenë rasti i të miturit Erion Zeka për të cilin AKI kishte thënë se e ka kthyer nga Siria, derisa nuk kishte lidhje fare me këtë operacion.

Kthimin e tij e kishte bërë një xhihadist kosovar që kishte vendosur ta braktiste Sirinë.  Sidoqoftë, Smakaj I kishte ofruar dorëheqjen ish kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentes Atifete Jahjaga.

Menjëherë pas kësaj dorëheqje, ish presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-kryeministri Isa Mustafa kishin emëruar Agron Selimajn në krye të AKI-së.

Para se të bëhej shef i AKI-së, Selimaj kishte shërbyer në këtë institucion si kryeinspektor.

Por, edhe Selimaj nuk mund ta dërgonte mandatin deri në fund, pasi dy vite me vonë, saktësisht me 27 janar 2017, përmes një letre kishte kërkuar nga presidenti aktual Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Isa Mustafa, lirim nga detyra e shefit të AKI-së.

Prokuroria Themelore të Prishtinës, pati nisur hetimet ndaj ish-shefit të Agjencisë, Agron Selimajn, inspektorit të përgjithshëm të AKI-së, Shkëlzen Sopjanin, zëvendësdrejtorin e AKI-së, Latif Merovcin, drejtorin e Departamentit të Inspektimeve, Gazmend Isufun, dhe drejtorin e departamentit të mbikëqyrjes teknike, Selami Hashanin.

Mes veprave që dyshohej se kanë kryer ata, ishte edhe një tender i dyshimtë për firmën e djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Pas Selimajt, presidenti Thaçi bashkë me ish-kryeministrin Mustafa, emëruan Driton Gashin në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, (AKI).

Mirëpo, edhe Gashi, sikurse dy paraardhësit e tij, Smakaj e Selimaj, nuk e çoi mandatin deri në fund.

Ai u shkarkua nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mars të vitit 2018.

Shkarkimi i tij erdhi pas skandalit të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, të cilët i kërkonte shteti turk si pjesëtar të organizatës së Fetullah Gylenit.

E pas Driton Gashit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, më 20 prill të vitit 2018 kanë emëruar ne krye të shefit të Inteligjencës Shpend Maxhunin, që në atë kohë mbante pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Por pas një viti e gjysmë në këtë pozitë, Shpend Maxhuni  të mërkurën më 6 nëntor 2019, ofroi dorëheqjen. Lajmin e bëri të ditur kryeministri në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj.

Dorëheqja e Maxhunit, i cili ka gati një dekadë në Polici e AKI, nga kryeministri Haradinaj është përcjellë me “Medaljen e Skënderbeut” dhe me lëvdatat për profesionalizëm dhe besnikëri ndaj atdheut.

Drejtori i AKI-së emërohet nga presidenti dhe kryeministri së bashku, me mandat pesëvjeçar, me mundësi riemërimi edhe për një mandat./Periskopi/

 

Të fundit
Të ngjashme