‘Isa Mustafa do të pendohet për hyrjen në politikë’. ‘Gomari i Zajednicës’ – Historia e polemikave të ashpra Kurti – Mustafa

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka paralajmëruar takim me siç e quan, profesor Isa Mustafën, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Takimi Kurti – Mustafa, ndodh si një fazë finalizimi bisedimesh mes të dyja partive, të cilat kanë nisur që nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit në përpjekje për marrëveshjen që do të sjell […]
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka paralajmëruar takim me siç e quan, profesor Isa Mustafën, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Takimi Kurti – Mustafa, ndodh si një fazë finalizimi bisedimesh mes të dyja partive, të cilat kanë nisur që nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit në përpjekje për marrëveshjen që do të sjell formimin e Qeverisë së re mes LDK-së dhe VV-së.
“Nesër do të takohem me profesor Isa Mustafën, kryetarin e LDK-së. Do të diskutojmë për arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë i cili është përfunduar në masën mbi 80%. Shpresoj që do të diskutojmë edhe ato që kanë ngelur pa u diskutuar përfshirë këtu edhe programin, njëkohësisht edhe si është më mirë të vazhdojmë sa i përket ndarjes së përgjegjësive ekzekutive. Meqë natyrisht përfundon rinumërimi dhe i jepet rezultati vërtet final javën e ardhshme. Andaj ne duhet të ecim me shpejtësi drejtë formimit të qeverisë sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve… nuk është e thënë që do t’i mbyllim të gjitha temat, por është koha që t’i hapim ato”, ka thënë Kurti dje para mediave, shkruan Periskopi.
Historia ‘e palavdishme’ e raporteve Kurti – Mustafa
Megjithëse dyshja ka pasur takime edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit, në kuadër të ‘bashkërendimit të veprimeve të opozitës së kaluar’, raportet Kurti – Mustafa nuk kanë qenë gjithmonë të lavdishme. Historia e përplasjes mes tyre, kishte filluar kur Isa Mustafa kishe ‘tradhtuar’ koalicionin VLAN, duke hyrë në qeveri me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kjo histori përplasjesh, do të bëhej edhe më e madhe, në kohën kur ishte nënshkruar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilës, Vetëvendosje do t’i drejtohej si ‘Zajednicë’.
Vetëvendosje do të niste kundërshtimin ndaj ‘Zajednicës’ dhe kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa në forma të ndryshme: aksioneve në rrugë, aksioneve te shtëpia e tij e protestave para Qeverisë.
Përpara se të nisnin këto aksione e protesta, në njërën prej intervistave atëkohë, në TV Dukagjini, Kurti kishte deklaruar se ‘Isa Mustafa do ta ketë të palavdishëm fundin e tij politik’.
“Ditët, javët dhe muajt në vijim janë një shans i jashtëzakonshëm që ne ta ndalim Zajednicën. Dhe ashtu sic e kemi ndalur Jabllanoviqin dhe kemi imponuar shkarkimin e tij, njësoj do ta ndalim edhe Zajednicën edhe Isën”, kishte deklaruar Kurti duke vazhduar…” aq të palavdishëm do ta ketë fundin e tij në politikë, saqë do të pendohet për hyrjen e tij në politikë”, vazhdonte Kurti.
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/10152948924807000/
Ndërkohë, duke kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti kishte ashpërsuar fjalorin ndaj Mustafës duke ia përmendur edhe djemtë e tij.
Kurti, në reagimin e vet kishte thënë se Isa Mustafa, po të kishte shtet ligjor, do të duhej të ishte në burg ndërsa kishte përmendur edhe “Zajednicën” (Asociacionin e Komunave serbe) të cilën – sipas Kurti – e ka mundësuar “Zajednica (bashkimi) i vëllezërve të Thaçit me djemtë e Isës”.
Pas kësaj, kishte pasuar reagimi i ashpër i Mustafës:
“A e di kush, cka ka ky gomari i Zajednicës me djemt e mij??? Te drejtohet kah une Ukshi se e ka humbur rrugen”.
Për shkak se atëkohë, Mustafa ‘lëshonte’ disa statuse mjaft problematikë, Kurti do të deklaronte në një intervistë për KTV-në:
“Mustafa është shumë qesharak po mos të ishte kaq i dëmshëm. Ai nuk arrin ta menaxhojë as Facebookun e vetë e lëre më Kosovën. Prandaj unë nuk mendoj se duhet ta marrim Mustafën seriozisht, më shumë sesa që e merr ai vetveten. Ai nuk e merr veteveten seriozisht tashmë’.
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/10153126360807000/
Për të gjitha, këto polemika, sulme e ofendime, vetë kreu i LDK-së, në njërën nga intervistat dhënë së fundmi në Klan Kosova, ka deklaruar se ‘kërkim falja më e mirë nga Albin Kurti, do të jetë qeverisja e mirë për Kosovën’.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy partitë, deri tani kanë zhvilluar bisedime në nivel të ‘grupeve punuese’, ku kanë diskutuar kryesisht aspekte të programit qeveriës, për të cilin, nga të dyja partitë kanë thënë se janë pajtuar pothuajse plotësisht.
Çështjet që kanë mbetur pa u diskutuar – e për të ciat sot nis faza e re e bisedimeve Kurti – Mustafa, janë postet qeveritare.
Në një deklaratë dhënë dje para mediave, Kurti ka thënë se me Mustafën, nuk do të diskutojnë vetëm ‘pozitën e kryeministrit’, ndërkaq pozitat tjera, thotë se janë të diskutueshme.
“Ne do të diskutojmë me kryetarin e LDK-së për këto çështje, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta. E ato janë të kryeministrit, ministrive, kryeparlamentarit, zëvendësministrave dhe unë besoj që kjo është detyra më urgjente që kemi. Kryeministrin e ka përcaktuar populli i Kosovës më 6 tetor, ministritë janë të diskutueshme…ne këmbëngulim në harmonizimin tonë programor. Duhet të gjendet edhe një formulë për ndarjen e këtyre përgjegjësive, por unë nuk mund të flas tash se këtë e lëshoj e këtë se lëshoj thua ti është një lloj…nuk mund të jetë ashtu, kryeministrin e ka përcaktuar populli me 6 tetor, ne kemi qenë kandidatë në garë, secili subjekt që ka garuar e ka pasur kandidatin e vet për kryeministër”, ka thënë Kurti./Periskopi/













