Haga e heton Zyrën e Qeverisë së Kosovës – kjo e fundit e konteston procedurën

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, është duke bërë hetime lidhur me rolin e Zyrës së Qeverisë së Kosovës (në Ministrinë e Drejtësisë) për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë Dhomave të specializuara, si dhe drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçi, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për […]
Kjo është pjesë e një dokumentit që ka të bëjë me kërkesën e avokatit të Lajçit, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit të intervistimit.
Lajçi është marrë në pyetje në Hagë, më 17 tetor, duke u mbrojtur në heshtje, ndërkaq që avokati i tij, Toby Cadman, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, ka paraqitur kërkesën lidhur me kushtetutshmërinë e procedurës gjatë intervistimit, që është edhe pjesë e dokumentacionit publik.
Megjithatë, në këtë moment, ai nuk ka mundur të flasë më shumë për përmbajtjen e asaj kërkese ose për çfarëdo aspekti tjetër të rastit, “marrë parasysh që kjo është çështje ‘sub juridice’”, gjegjësisht, një çështje që është në gjykatë.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në kërkesën publike, e cila për disa orë ka qenë e publikuar në faqen e internetit të Dhomës së Specializuar, por që më pas është larguar nga aty.
Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Dhomave të specializuara Angela Griep, kërkesa mund të tërhiqet nga faqja e internetit në rast se ekziston brengosja e palëve dhe më pas, pas shqyrtimit nga Dhoma kompetente, mund të publikohet sërish ose të klasifikohet si konfidenciale.
Gjykata Speciale, për të rinjtë shqiptarë raciste, për ata serbë hibride
Megjithatë, në kërkesë thuhet që Lajçi, ndonëse ka insistuar, nuk ka qenë i informuar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë, për bazën e provave për dyshim se ka kryer vepër penale, ndërkaq që për pretendimet specifike nuk është njoftuar as gjatë intervistimit. Për këtë arsye, avokati i tij, Cadman, ka kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit, duke thënë se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve relevante.
Cadman, në kërkesën e tij, insiston edhe në vendosjen e praktikës, e cila do të mundësojë që të gjitha intervistimet e ardhshme “të jenë në përputhje me ligjin” dhe që intervistimi i Lajçit, më 17 tetor, të konsiderohet i paligjshëm dhe i papranueshëm.
Dhoma e Specializuar e Kushtetutës së Kosovës në Hagë është instanca e fundit për interpretimin e Kushtetutës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar. Cadman, në emër të Lajçit, i është drejtuar Dhomës së Specializuar të Kushtetutës së Kosovës, duke u thirrur në nenin e Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë që “individët mund të nisin procedurë, në rast se të drejtat dhe liritë e tyre që ua garanton Kushtetuta, shkelen nga ana e organeve publike, kur të gjitha mjetet juridike janë shterur”.
Ai, gjithashtu, konsideron që procedurat e miratuara për intervistimin, në përputhje me ftesën, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Rregulloren e procedurës dhe dëshmive të Dhomave të Specializuara, si dhe me obligimet e Kosovës dhe që Dhomat të veprojnë në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.
Në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, Prokuroria e Specializuar ka refuzuar të japë çfarëdo komenti.
Krimet kundër zbatimit të drejtësisë, gjegjësisht, krimet e kryera gjatë proceseve gjyqësore, siç janë: shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera, janë ndër kategoritë, mbi të cilat Gjykata Speciale ka kompetencë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe veprat tjera penale sipas ligjeve të Kosovës e që ndërlidhen me pretendimet në raportin e eurodeputetit Dick Marty, më 2011.
Siç thuhet në kërkesën e dorëzuar të avokatit Cadman, drejtuesi i Zyrës së Qeverisë së Kosovës, Driton Lajçi, në fund të shtatorit kishte marrë ftesën që më 17 tetor të paraqitet në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në lidhje me “hetimin zyrtar kriminalistik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, për shkak që “ekzistojnë arsye për të besuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale nën kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës”.












