Gjuriq sulmon Kosovën për votat e anuluara nga Serbia dhe mini-shengenin: Është vend që nuk e do paqen

I ashtuquajturi drejtor në Zyrën për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se ‘vendimi i institucioneve të Kosovës për të anuluar votat nga Serbia është formë zyrtare e aparteidit që po ndodh në Kosovë’. “Vetëm zërat nga Serbia qendrore, pa ndonjë shpjegim të kuptueshëm janë hequr”, ka thënë Gjuriq në një deklaratë të […]
I ashtuquajturi drejtor në Zyrën për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se ‘vendimi i institucioneve të Kosovës për të anuluar votat nga Serbia është formë zyrtare e aparteidit që po ndodh në Kosovë’.
“Vetëm zërat nga Serbia qendrore, pa ndonjë shpjegim të kuptueshëm janë hequr”, ka thënë Gjuriq në një deklaratë të shkruar që ua ka përcjellur mediave serbe, përcjell Periskopi.
Ai ka thënë se ky hap i Prishtinës, është në ‘kuadër të procesit për ta fshirë realitetin politik të serbëve në Kosovë’ që kulmoi ‘me anulimin e votave nga Serbia’.
Marko Gjuriq ka komentuar edhe deklaratat e politikanëve nga Kosova për mini-shengenin ballkanik, duke thënë se kjo iniciativë ka shkaktuar panik te politikanët e Kosovës.
Ai ka thënë se mospjesëmarrja e Kosovës, tregon se ‘politikanët kosovarë nuk duan paqe, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik”, por po i kontribuojnë ‘ndarjes së mëtutjeshme politike mes vendeve të rajonit si dhe po kontribuojnë në politikën e urrejtjes dhe konfliktit’, shkruan N1, përcjell Periskopi.
Gjuriq ka komentuar edhe deklaratat e kreut të VV-së Albin Kurti se me të në krye të Qeverisë së Kosovës, do të vendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Reciprociteti është edhe një mekanizëm tjetër për t’u kthyer në të kaluarën që i kontribuon konfliktit dhe është një vazhdimësi e taksës së vendosur nga Kosova si dhe kontribuon në mbylljen e dyerve për gjeneratat e ardhshme të të gjitha nacionaliteteve në Kosovë’, ka thënë Gjuriq. /Periskopi/












