Gjithçka që ndodhi sot në Shqipëri: Për 20 orë, 250 lëkundje, 23 viktima

Sot, mbi 250 lëkundje e kanë goditur Shqipërinë – mbi 30 prej tyre të fuqishme ndërsa një termet ka arritur fuqinë e 6.4 shkallë të rihterit. Sipas të dhënave të fundit, bilanci i të vdekurve në Shqipëri pas termetit ka arritur në 24, ndërsa mbi 650 persona kanë kërkuar ndihmë nëpër spitalet e Shqipërisë. Tërmeti […]
Tërmeti i fuqishëm goditi rajonin e Durrësit – ku edhe po vazhdojnë kërkimet për dhjetra persona të cilët ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe nuk dihet nëse ka të mbijetuar.
Ndër 23 viktimat e konfirmuara deri më tani në Shqipëri janë edhe dy vëllezër nga Gjilani, Shemsedin dhe Isa Abazi, shkruan lajmi.net.
Shtetet e rajonit kanë dërguar ekipe të posaçme të kërkim-shpëtimit në Shqipëri, ndërsa në ndihmë kanë dalur edhe vende të BE-së.
Kosova në Shqipëri për ndihmë ka dërguar 3 njësite të Kërkim-Shpëtimit Urban, një ekipë të specializuar mjekësore dhe njësitin K9 të Policisë të Kosovës të specializuar për gjetjen e njerëzve.
Për ndihmë në Shqipëri janë mobilizuar edhe qytetarët e Kosovës, në 7 qendrat kryesore dhe në qytete të tjera janë mbledhur ndihma si ushqim, veshmbathje dhe gjëra të nevojshme për familjet e prekura nga tërmeti.
Përveç kësaj, mbi 300 familje kosovare kanë hapur dyert për të pranuar familje nga Shqipëria që kanë mbetur pa strehë.
Sipas sizmologëve në Shqipëri, lëkundjet e tokës atje pritet të vazhdojnë edhe sonte, derisa para një ore ka qenë tërmeti i fundit prej 3.0 shkallë të rihterit.
Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Kosovës sidomos në Zonën e Rrafshit të Dukagjinit dhe në Prishtinë.
Në Shqipëri ende nuk është marrë vendimi që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme derisa në Kosovë dita e mërkurë është shpallur ditë zie në nderim të viktimave të tërmetit në Shqipëri.
Krerët politikë të Kosovës janë solidarizuar me viktimat në Shqipëri dhe disa prej tyre kanë udhëtuar e po qëndrojnë afër vëllezërve nga Shqipëria.
Vlen të theksohet se nesër në mëngjes do të mblidhet Qeveria e Shqipërisë ku edhe do të vendoset nëse do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme atje.
Tërmeti i fuqishëm në Shqipëri (6.4 shkallë të rihterit) është ngjarje e jashtëzakonshme edhe për rajonin, andaj ka marrë edhe vëmendjen e të gjitha mediave të mëdha botërore.
Viktimat e tërmetit në Shqipëri janë të të gjitha moshave, nga një vajzë 5 vjeçare e gjithashtu një i moshuar mbi 75 vjeç.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë gërmimet e tyre nëpër rrënoja për të gjetur edhe trupat e tjerë që kanë mbetur poshtë tyre.












