Gent Cakaj thotë se njohja e teksteve mësimore në Preshevë, është kusht i zhvillimit në Serbi

Ministri i jashtëm në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, ku ka thënë se pasivizimi i vendbanimeve në Luginë të Preshevës nuk përbën vetëm qasje përjashtuese shoqërore por edhe dëmtim përmbajtjesor të demokracisë atje. Cakaj ka shkruar në Facebook se bashkëkombësit tanë në Serbi nuk […]
Cakaj ka shkruar në Facebook se bashkëkombësit tanë në Serbi nuk janë vetëm një faktor margjinal por një aset shumë i vyer shoqëror e kombëtar.
Sipas tij, do të vazhdojnë të artikulojnë shqetësimet e përbashkëta dhe të punojnë pakursyer në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të tyre.
“Mes të tjerash, ndamë pikëpamje të njëjta në një varg çështjesh. Së pari, pasivizimi i vendbanimeve në Luginë të Preshevës nuk përbën vetëm qasje përjashtuese shoqërore por edhe dëmtim përmbajtjesor të demokracisë atje. Së dyti, njohja e teksteve mësimore në shkolla fillore e të mesme e përdorimi i papenguar i simboleve kombëtare është jo vetëm në shërbim të ruajtjes së identitetit të tyre por edhe kusht i zhvillimit të përgjithshëm atje. Së treti, përfshirja proporcionale në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore do të mbetet një kauzë që do t’i japim zë vazhdimisht e bashkërisht”, ka shkruar ai.
Cakaj ka thënë se është jashtëzakonisht krenar me vullnetin e tyre për të tejkaluar dallimet e brendshme në shërbim të objektivave madhore kombëtare.












