Gazetarja e njohur: AGK një organizatë servile dhe jokredibile për gazetarët

Një pjesë e gazetarëve të Kosovës ndodhen të tubuar brenda një shoqate të çuditshme që nganjëherë ndan çmime e nganjëherë, me teke, merret me dënimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti. Së fundi, redaktorja e portalit Arbresh.info ka sulmuar këtë shoqatë për servilizëm dhe jokredibilitet në mënyrë të hapur. Së fundi, kjo shoqatë ka […]
Së fundi, kjo shoqatë ka përzgjedhur tri ‘storiet’ më të mira që konkurrojnë në garën e “Çmimit për gazetarinë më të mirë kundër korrupsionit”.
Por, vetë mënyra se si do të bëhet përzgjedhja e fituesit duket paksa problematike, shkruan Periskopi.
Shoqata në fazën e tretë – siç thuhet në sqarim – ka bërë hapjen e votimit publik për fituesin. Kushdo që ka një llogari në Facebook, mund të futet në faqen e destinuar për këtë qëllim dhe pa pasur fare njohuri mbi artikujt në fjalë, të votojë mes tre emrave që ndodhen të mbivendosur ndaj tre artikujve që kanë botuar. Kujt i duhet leximi, fundja?
Kësaj here, të përzgjedhur për këtë fazë të tretë ishin dy gazetarë të grupit KOHA dhe një gazetar i Kallxo.com, grupe mediale multi-milionëshe.
Kjo ka bërë që gazetarët të kërkojnë votën e njerëzve për ‘storiet’ e tyre si të ishin politikanë. Por çka janë ‘storiet’ se? Fjala “storie” nuk është në fjalorin e gjuhës shqipe. Për më tepër, e shqiptuar nga anglishtja kjo fjalë bën “storje” e jo “storie”.
Sidoqoftë, ankesa kishte edhe sa i përket përzgjedhjes në dy fazat e para. Krye-redaktorja e portalit Arbresh.info, Elvinë Sefiu, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook reagimin si vijon:
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i paska përzgjedhë tre emra për me votu kujt t’i teket për me fitu “Çmimin për gazetarinë më të mirë kundër korrupsionit 2019”. Pjesë e emrave nuk është gazetarja e Arbresh.info, Agnesa E. Çitaku, e cila me profesionalizëm, pa ndonjë ndikim politik, dhe me guximin e jashtëzakonshëm ka qenë e para që ka raportuar punësimet politike në Telekomin e Kosovës, dhe më pas edhe një dosje të tërë të keqpërdorimeve në Telekom. Vazhdimi i politikës për të mbajtur me tituj vetëm mediume të caktuara, shndërron AGK-në në një organizatë servile dhe jo kredibile për të shpërblyer gazetarinë dhe gazetarët e mirëfilltë.”
Nëse do të ketë së shpejti një shoqatë kredibile që mbron të gjithë gazetarët pa dallim dhe që nuk favorizon mediat multi-milionëshe në dëm të mediave më të vogla, mbetet të shihet!












