Flet familjari i gjashtë anëtarëve që vdiqën në Thumanë: Ata vendosën së bashku që të ndërtojnë një jetë të re, por Zoti i paska dashur më shumë dhe i morri për vete

Mëngjesin e së martës Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm ku si pasojë shumë persona humbën jetën. Njëra ndër ngjarjet më tragjike në këtë fatkeqësi natyrore, është vdekja e gjashtë anëtarëve të familjes Cara. Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, familjari i viktimave Isuf Cara ka treguar se […]
Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, familjari i viktimave Isuf Cara ka treguar se nipi i tij, Albert Cara, i cili i ka mbijetuar nga kjo tragjedi, tani ndodhet për trajtim në Itali dhe është jashtë rrezikut për jetë.
“Ka qenë një fatkeqësi natyrore që na e ka shkulur shpirtin. Ishte një ndërtesë pesë katëshe ku në katin e parë kisha përfaqësuesit e xhaxhait; ndërsa në katin e gjashtë kisha djalin e xhaxhait – Zoti na i fali dy fëmijë dhe na i mori shtatë”.
“Në momentin që ka ndodhur tërmeti ne kemi kontaktuar me të afërmit tonë. Të gjithë ne i telefononim Albertit i cili ndodhet për trajtim në Itali. Kishte 50 vjet që xhaxhai qëndronte në banesë. Ka qenë një tërmet që nuk mbahet mend në Thumanë – një tërmet që është shoqëruar me mijëra të tjera”.
“Unë kisha një komunikim me ministren e Shëndetësisë e cila më tha se kanë bërë përpjekjet maksimale për ta shpëtuar Albertin. Pasi ai ka arritur në Itali, stafi i mjekimit atje na ka dhënë shpresë që do ta bëjnë një trajtim shumë profesional”.
“Almiri (26 vjeçar) ka qenë i fejuar me një vajzë nga Korça. Ata vendosën së bashku që të ndërtojnë një jetë të re, por Zoti i paska dashur më shumë dhe i morri për vete”.
“Kur janë bërë gërmimet, pothuajse se e gjithë familja ka qenë e lidhur. Ndërsa për shpëtimin e Albertit, ka qenë puna e jashtëzakonshme e punës së Ushtrisë së Kosovës dhe ne u jemi mirënjohës atyre tërë jetën”.
“Unë mund të them se ndihma e parë dhe më e vyer ka qenë komuniteti dhe banorët e zonës së Thumanës. Ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve tjera.
Kujtojmë se nga familja Cara humbën jetën Almiri 26 vjeçar, Erisa 25 vjeçare, Hasani 18 vjeçar, Fatmira 53 vjeçare, Sadajana 21 vjeçare dhe Anthi 72 vjeç.












