Bardhyl Mahmuti: Pse nuk u dërgua në Institutin zviceran jastëku që ishte në dhomën e Astrit Deharit

Publicisti Bardhyl Mahmuti në vazhdën e shkrimeve për rastin e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që vdiq tre vite më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka folur edhe për një jastëk, që sipas tij është një provë e cila nuk i është përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër. Mahmuti, ka thënë se […]
Publicisti Bardhyl Mahmuti në vazhdën e shkrimeve për rastin e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që vdiq tre vite më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka folur edhe për një jastëk, që sipas tij është një provë e cila nuk i është përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër.
Mahmuti, ka thënë se do të publikojë nesër shkrimin me titull “Kush e fshehu jastëkun me jargë që ishte në dhomën e krimit?”.
Mahmuti tutje ka thënë se ky jastëk mund të përmbajë gjurmët e ADN-së të vlefshme siç thotë ai, për të ndriçuar krimin.
Postimi i Mahmutit në Facebook
Të dashur miq,
Nesër do të publikoj shkrimin e titulluar “Kush e fshehu jastëkun me jargë që ishte në dhomën e krimit?”.
Që nga njoftimet e para publike lidhur me rastin “Astrit Dehari”, opinionit publik i është prezantuar si vdekje e shkaktuar nga asfiksia (zënia e frymës) me një mjet të fortë (shishe plastike). Ekspertiza zvicerane dëshmoi se mekanizmi i shishes plastike nuk ka qenë i vetmi mekanizëm në procesin fatal. Dhuna e shkaktuar në qafën e Astrit Deharit shtron hipotezën e mekanizmit të dytë në këtë vrasje.
Megjithatë, rezultatet e ekipit mjeko-ligjor zviceran janë të kushtëzuara nga materialet që u janë dërguar e që kanë të bëjnë me rastin “Astrit Dehari”. Në listën e këtyre materialeve mungon JASTËKU ME MBETJE JARGËSH QË U GJET NË DYSHEME, NË DHOMËN E KRIMIT! Mbetet të vërtetohet nëse kemi të bëjmë me mekanizmin e tretë që u përdor në vrasjen e Astrit Deharit! Sidoqoftë, ky jastëk mund të mbajë edhe gjurmët e ADN-së, të vlefshme për të ndriçuar krimin.
Duke parë sesi dikush është përpjekur të fshehë gjurmët e krimit, ajo që shtrohet publikisht në këtë kontekst ka të bëjë me dilemën që kam nëse ka mbetur i padëmtuar ky jastëk (në kuptimin e gjurmëve gjenetike) dhe nëse ende është në materialet e dosjes së Astrit Deharit.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti












