Ankesa, shqyrtim ankesash, vendime për ankesat: Ja çka ndodh pas rezultateve përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ pritet që të enjten (nesër) të shpallë rezultatet përfundimtare, pas numërimit të të gjitha votave nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, raporton Periskopi. Sipas Gjykatës Kushtetuese, së pari ndodh shpallja e rezultateve, pastaj merren parasysh ankesat e partive dhe në fund vjen certifikimi i rezultateve. ‘’Me shpalljen e […]
Sipas Gjykatës Kushtetuese, së pari ndodh shpallja e rezultateve, pastaj merren parasysh ankesat e partive dhe në fund vjen certifikimi i rezultateve.
‘’Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me këto rezultate. Fillimisht ankesat mund të paraqiten në PZAP dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme. Ne gjithashtu duhet të presim vendimmarrjen e tyre, të veprojmë në përputhje me këto vendime, nëse e obligojnë KQZ-në, në mënyrë që pastaj të mund të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në fund, pasi KQZ-ja merr vendim për certifikimin e rezultateve e njofton Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve’’, thuhet nga Kushtetuesja.
Pas numërimit të të gjitha votave, edhe ato të Diasporës që u finalizuan tek mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje renditet si partia e parë fituese e këtyre zgjedhjeve, LDK e dyta dhe PDK e treta me radhë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sot ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor. Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte”, ka thënë ai.
Ditë më parë, KQZ-ja nuk kishte proceduar për votim në QNR këto pako me fletëvotime, teksa Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ishte ankuar në PZAP, e cila ankesën e kishte vlerësuar si të pabazuar.
Për këtë arsye, kjo parti dje ka dorëzuar ankesën tjetër në Gjykatën Supreme, e cila mori vendim për numërimin e 1806 pakove me fletëvotime nga mërgata./PERISKOPI/












