A po bëhet Jugosllavia e Re? Analistët përkrahin Thaçin që nuk mori pjesë në Samitin e Ohrit

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Ohrit, po bëhet me mungesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, i cili dje sqaroi arsyet për të cilat nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë takim. Në anën tjetër, “Mini-Schengen-i” i Ballkanit, u cilësua në esencë si formim i një “Jugosllavie” të […]
Në anën tjetër, “Mini-Schengen-i” i Ballkanit, u cilësua në esencë si formim i një “Jugosllavie” të re, nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Para se të niste takimi sot, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se deri këtë fund-vit qytetarët e Serbisë do të mund të lëvizin lirshëm, vetëm me letërnjoftim nëpër Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Në lidhje me këto zhvillime për Periskopin kanë folur njohësit e politikave, Shkëlzen Maliqi dhe Afrim Hoti.
Maliqi e ka quajtur “të tepërt”, deklaratën e Mustafës, për krijimin e një Jugosllavie, duke shtuar se të paktën personat që i kanë shërbyer sistemit të ish-Jugosllavisë, nuk do të duhet ta përmendnin shumë shpesh atë.
“Këto akuzat se po krijohet një Jugosllavi e Re janë pak të tepërta, Duhet të shikohet se për çfarë bëhet fjalë, nuk mundem me komentu. Dyshimet ideologjike se do të krijohet njëfarë “Jugosllavi e Re”, se paku nga ata që kanë qenë në atë Jugosllavi, ose kanë shërbyer në të, nuk duhet ta përmendin aq shpesh, sepse nuk bëhet fjalë fare për këtë, por, sigurisht që duhet të them ashtu, është një ide që mund të funksionoj, dhe të kthehemi në një ide shumë të vjetër që Ballkanasit mes veti duhet t’i zgjedhin çështjet sa munden, në kuptimin që të mos varen gjithnjë prej raporteve të fuqive të mëdha, megjithatë është shumë ide delikate, por kur ka bashkëpunim është mirë, edhe hiqen barrierat”, u shpreh Maliqi.
Mos-pjesëmarrjen e Thaçit në këtë Samit, Maliqi e konsideron si një veprim që është shumë në rregull pasi sipas tij, ky projekt pa Kosovën nuk ka kuptim.
“Sa i përket Presidentit Thaçi mendoj se është në rregull refuzimi për pjesëmarrje, sepse pa Kosovën, ky lloj projekti nuk do të kishte kuptim, ndërkaq derisa nuk janë sqaru punës mes Kosovës, dhe Serbia nuk e njeh ose punon që të anulohen njohjet e Kosovës, është mirë që mos të merr pjesë në këto takime”, tha Maliqi për Periskopin.
Edhe politikologu, Afrim Hoti e konsideron të duhur mos-pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, duke shtuar se projekte të tilla nuk mund të bëhen mes shteteve që nuk kanë njohje reciproke.
“Çështja e lëvizjes së lirë të shteteve sovrane, është çështje e vendosjes së tyre, nëse shtetet e shohin interes nga konstruksionet e tilla, çfarë është kjo që po quhet “Mini-Schengen”. Nuk mund të ketë projekte të tilla në rajonin tonë nëse shtetet nuk kanë raporte të ndërsjella dhe njohje reciproke, që e bën për Kosovën, praktikisht edhe për Ballkanin atë edhe të parealizueshme, atë që po njihet si “Mini-Schengen”, tha Hoti.
Hoti tha se është për keqardhje që liderë të caktuar nuk po e pranojnë realitetin për Kosovën.
“Pjesëmarrja e Kosovës në të është fatkeqësi, shpërfaq trendin e deritashëm që liderët e caktuar nuk po e pranojnë realitetin, kjo është vërtetë për keqardhje, dhe mendoj që nuk është diçka që duhet të na shqetësoj sepse fundja këto janë konstruksione të vona tash që kanë ardh së fundmi, përfundimi i të cilave është fund e krye përfitim i Serbisë. Do të thotë se nga e gjitha kjo lojë, më së shumti mund të përfitoj Serbia. Ndonëse, mund të fitojnë edhe vendet tjera sovrane që vendosin të lëvizin të lirë me letërnjoftime të ngjashëm”, u shpreh Hoti.
Sipas Hotit, një “Mini-Schengen”, në Ballkanin Perëndimor është saktësisht e kundërta e Ish-Jugosllavisë.
“Kjo nuk është një “Mini-Jugosllavi”, është saktësisht e kundërta, sepse Schengen-i nuk nënkupton krijim të shteteve, por vetëm liri dhe mundësi të lëvizjes së lirë të njerëzve, që nuk nënkupton që po krijohet një shtet ose etnitet krejtësisht i ri tash, me këtë “mini-shengen”. Por, kjo nuk ka të bëj me Jugosllavinë. Nuk ka asnjë element të Jugosllavisë. Ajo është tendencë e Serbisë për me përfitu dhe me pas pozicion dominant në Ballkan. Nuk flasim për konstruksione të shteteve të reja”, u shpreh politikologu Hoti.
Në takimin e sotëm në Samitin e Ohrit po marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliq të cilët do të prezantojnë deklaratën me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal.
E në lidhje me pjesëmarrësit e këtij Samiti, Maliqi tha se e ka befasuar mënyra se si ka nisur ky proces, pa konsultimin paraprak me të gjitha shtetet që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor.
“Jam habit pasi këta tre liderët që e kanë nis këtë proces, nuk i kanë konsultu më herët edhe Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi, pasi janë gjashtë vende që pretendohet se duhet të jenë në pjesën tonë. Unë nuk kam shumë dyshime për këtë nismë si të tillë, edhe amerikanët e kanë përkrahë para disa ditësh, si një formë e liberalizimit të brendshëm të këtyre gjashtë shteteve. Ne me letërnjoftime mund të udhëtojmë në disa vende, nuk është risi kjo, kjo është vetëm një lehtësi e komunikimit”, tha Maliqi.
Maliqi tha se Kosova fillimisht duhet të sqaroj çështjen e taksës me Serbinë, si njëra nga çështjet e para për tu zgjidhur, pa marrë pjesë në takime të këtij lloji, të cilat sido që të jetë puna duhet të jetë e qartë se për çfarë bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i këtyre takimeve.
“Kosova momentalisht e ka edhe problemin e të themi luftës tregtare me Serbinë, punën e taksës, fillimisht duhet të sqarohet kjo punë e mandej të bëhet pjesë e këtij projekti. Por, në parim nuk është ide e keqe sidomos nëse përcillet me suportin financiar të perëndimit dhe të vet projektit si i tillë. Jo vetëm për arsye të taksës, por edhe të shumë çështjeve tjera, ekonomike, por kjo mund të jetë një rregullativ fillestare, që mund të shërbej gradualisht në lehtësimet apo balancimet e brendshme. Për Kosovën është shumë e rëndësishme të behet tërësisht e barabartë me Serbinë. Por, edhe vet iniciativa duhet të sqarohet më mirë edhe të kuptohet cilat janë intencat, a është liberalizi i tregut dhe komunikimeve, është diçka që mund ta kompensoj këtë mungesën ose pengesën që tashmë Evropa ia ka bë praktikisht krejt rajonit, sidomos Kosovës, por edhe Shqipërisë e Maqedonisë, puna se tregu ma i gjerë ose rregullimi i raporteve të brendshme në Ballkanin Perëndimorë, krijon mundësi për një treg më të madh, për zhvillimin ekonomik secilës veç e veç, por edhe për investime të jashtme. Vetëm se natyrisht ka edhe probleme me disa shtete më të vogla që mund të dominohen nga ekonomia e Serbisë e cila është më e madhe”, shpjegoi Maliqi.
Sidoqoftë, sipas Afrim Hotit nga këto takime, fituesi më i madh është Serbia, pasi si super-fuqi në ekonominë e Ballkanit Perëndimor, Serbia po punon për interesa të veta, në tri fronte të ndryshme dhe po punojnë që gjithçka të shkoj në favor të tyre dhe sipas tij Kosova nuk ka çka eksporton, prandaj edhe nuk e ka aq të nevojshëm pjesëmarrjen në këto takime.
“Pra, lufta e Serbisë është orientu në tri fronte. E para është negocimi kah BE-ja dhe kushdo që janë të gatshmë të anëtarësohet në BE, lidhja natyrale me lindjen , me rusinë dhe Euro-Azinë, edhe e treta derisa bashkë me ta punojnë, në të njëjtën kohë dëshirojnë me qenë faktor përcaktues, faktor kyq në rajon, dhe për me arrit këtë standard, ata japin ide për “mini-shengen”, e shengen, dhe e emërtojnë si të duan”, tha Hoti për Periskopin.
Në anën tjetër, Shkëlzen Maliqi tha se do të vij një moment kur Serbia do ta njoh Kosovën, dhe se Kosova duhet t’i rregulloj marrëdhëniet me fqinjët, meqenëse synimi është të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian i ka qindra mijëra rregullore për çdo segment të jetës që i barazon dhe i jep shanse të gjithëve të jenë të barabartë. Kjo është vetëm një nisme dhe duhet me shiku kështu, si diçka që na pengon, ne edhe ashtu synim e kemi të bëhemi pjesë e bashkimit Evropian dhe na presin krejt të njëjtat gjëra që këtu po refuzohen. Ne i kemi fqinjë dhe duhet t’i rregullojmë marrëdhëniet me ta, por, parakushti është njohja e Kosovës, me Serbinë që ky projekt në tërësi të funksionalizohet. Nënkupton që në një moment Serbia do ta njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe të barabartë”, tha Maliqi.
Sa i përket deklaratës së presidentit serb, Vuçiq, të dy njohësit e politikave, Maliqi e Hoti thanë se praktikisht Kosova mund të lëvizë vetëm me letërnjoftim në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar vetëm Bosnjën.
“Ne praktikisht e kemi këtë, me Maqedoninë, me Malin e Zi me Shqipërinë, ne udhëtojmë me letërnjoftim, ndoshta do të ishte shtu edhe Bosnja e Hercegovina, por të them ashtu kjo nuk nënkupton integrimin politik, por vetëm lehtësime në marrëdhëniet e tipeve të ndryshme, për secilën gjë duhet të rregullohet”, u shpreh Maliqi.
Presidenti Thaçi dha dje arsyet për të cilat ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se “Mini-Schengen’i” ballkanik është një Jugosllavi e re. /PERISKOPI/Xhejlane Kaçiu/













