Të zezat e 6 tetorit: Ambasada Amerikane të çelë të pame pas fitores së VV-së, Lista Serbe rrezikon themelet e shtetit

Numërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit tashmë po shkon drejt fundit. Sidoqoftë, ende vyen të numërohen votat me kusht dhe ato nga diaspora. Kosova është ende në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, por tashmë disa gjëra janë të qarta. Periskopi liston disa nga të këqijat […]
Kosova është ende në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, por tashmë disa gjëra janë të qarta. Periskopi liston disa nga të këqijat e mëdha, e prej të cilave do ta pësojë rënd në dekadat e ardhshme shoqëria jonë.
Lista Serbe më e fortë se kurrë
Lista Serbe, e udhëhequr praktikisht nga Aleksandër Vuçiq, ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm në këto zgjedhje. Ata fituan 6,61 për qind të votave të përgjithshme, ose 52 mijë e 617 nga 99,84% të numëruara.

Kjo parti pritet të rritet edhe më shumë pas numërimit të votave të mërgatës, kur dihet se mbi 4 mijë serbë përkrahës të kësaj liste do të votojnë. Përqindja e saj me këto vota pritet ta mbërrijë 8-shin.
Pra, Srpska Lista do t’i fitojë të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb duke pamundësuar kësisoj krejtësisht qeverinë e re nga një bashkëpunim i pakushtëzuar me serbët e Kosovës.
Kur dihet se themelet e Republikës së Kosovës janë të ndërtuara mbi parimin e multietnicitetit, rezultati i Listës Serbe përbën një lajm shumë brengosës për vendin tonë.
Ndërkaq, Sloboda e Nenad Rashiqit ka fituar vetëm 719 vota, ose vetëm 0,09%.
Fitorja e Pirros
Fitorja e Pirros është një fitore me shumë humbje dhe që mund të barazvlerësohet me një humbje. Ky togfjalësh vjen nga Mbreti Pirro i Epirit, i cili vuajti dëme të jashtëzakonshme në fitoren ndaj romakëve gjatë Betejës së Heraklesë në vitin 280 Para Krishtit.
E këtillë ishte fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata ishin larg pritjeve të vëna nga Albin Kurti që shpresonte për gjysmë milioni ose 250 mijë vota. Por, Kurti fitoi me vetëm 0,6 për qind diferencë ose me 203 mijë vota.

Ky është rezultat i ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2017, kur kishin marrë pak mbi 200 mijë vota ose 27 për qind e gjysmë, përcjell Periskopi.
Por, ajo që e bën fitoren e Vetëvendosjes më të njelmët ishte pikërisht diferenca tepër e vogël me Lidhjen Demokratike të Kosovës [LDK]. LDK i mori vetëm pesë mijë vota më pak, për më tepër, tashmë po kërkojnë rinumërim votash në tetë vendvotime duke shpresuar në vend të parë.
Heshtja e ShBA-ve
Deri në këtë moment që po flasim, janë bërë tri ditë që Ambasada e Amerikës dhe ambasadori Philip Kosnett nuk kanë postuar asgjë. Çele guri gojën!
Duket se rezultati zgjedhor ka brengosur shumë ambasadën më të rëndësishme në vend që në përurimin e objektit të ri gjatë kësaj vere, nuk kishin ftuar vetëm liderët e Vetëvendosjes.

Nuk dihet nëse Ambasada Amerikane do të thurë ndonjë postim në orët apo ditët e ardhshme, ose nëse do të shprehë zhgënjimin. Një zgjidhje kreative do të ishte çelja e një të pameje, siç është tradita shqiptare.












