Skandal: Edhe pas helmimit, KQZ i merr parasysh votat e ardhura jashtëligjshëm me veturë nga Serbia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka filluar me shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, përkundër faktit që u sollën jashtëligjshëm dhe para disa ditësh u helmuan afro 30 komisionerë nëpër qendra të numërimit. Partitë politike në vend kishin bërë thirrje që të mos vazhdohet me numërimin e tyre dhe […]
Zarfet me fletëvotime nga Serbia nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë, prandaj edhe parashihet që të refuzohen.
Përderisa ky proces sot ka rinisur në orët e mëngjesit, për shkak të frikës nga rasti i zyrtarëve të KQZ-së , vëzhguesve u është dashur që me veshje të veçanta të kryejnë verifikimin në objektin e Ministrisë së Transportit në Prishtinë, derisa gjatë këtij procesi punëtorët u shprehën se kanë ndjerë një erë të keqe dhe kokëdhimbje.
Periskopi mëson se zarfet e tjera me vota tashmë janë dërguar për numërim në Qendrën për Numërimin e Votave (QNR), pa respektuar procedurat ligjore.
Periskopi ka kontaktuar me zëdhënësin e KQZ’së, Valmir Elezin, i cili si përgjigje ka kthyer vetëm një njoftim të lëshuar gjatë ditës. Po ashtu, Periskopi ka tentuar të marrë edhe një prononcim nga kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, por pa rezultat.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para disa ditësh mori vendim që të numërohen zarfet me vota, të sjellura kundërligjshëm me veturë nga Serbia. Zyrtari ndërlidhës Kosovë- Serbi, Dejab Paviceviq dhe një zyrtar tjetër, Predrag Nikoliq, me datën 4 të këtij muaji kishin dorëzuar zarfet në pikën e postës tek rruga ‘Agim Ramadani’, në Prishtinë.
Reagime të menjëhershme pati nga partitë politike në vend. Lëvizja Vetëvendosje kërkoi hetim për pakot me fletë votime të ardhura nga Serbia.
“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”, shkruhej në reagimin e VV-së.
Ndërsa edhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se ‘vetë mënyra se si kanë ardhur zarfet me fletëvotime nga Serbia, është e kundërligjshme’.
”Votat nga Serbia, vota të parregullta – KQZ të ndalojë veprimet joligjore”, ka thënë Limaj.
Demokracia në Veprim ka kërkuar që zarfet e ardhura nga Serbia të verifikohen vetëm pas garantimit të shëndetit të personelit përgjegjës të KQZ-së.
‘’KQZ nuk duhet të nxitojë me verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia para se prokuroria të publikojë rezultatet nga hetimi i këtyre zarfeve dhe të hapë rrugë për verifikimin dhe numërimin e tyre”, thuhet në njoftim’’, thuhet në reagimin e tyre.
Të dielën e javës së kaluar, 26 zyrtarët të KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet e ardhur nga Serbia, kanë filluar të kenë skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja për rreth syve, ku si pasojë 12 prej tyre ishin shtrirë edhe në QKUK për trajtim.
Edhe mediat e famshme botërore, agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe gazeta amerikane “The Washington Post”, kanë raportuar për rastin skandaloz, të shkaktuar nga Serbia./PERISKOPI/













