Rama sulmon prokurorin e Durrësit: Nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sulmuar sërish prokurorin e Durrësit Arian Ndoja, por pa e përmendur me emër, duke thënë se nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të bashkëqeverisjes që zhvillohet në Kryeministri, Rama e akuzoi si “përfaqësues të interesave të krimit”, akuzë të cilën e bëri për herë […]
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të bashkëqeverisjes që zhvillohet në Kryeministri, Rama e akuzoi si “përfaqësues të interesave të krimit”, akuzë të cilën e bëri për herë të parë ndaj prokurorit Ndoja të enjten e kaluar në Parlament.
Sipas Kryeministrit, prokurorë dhe gjykatës të cilët e dinë se nuk do të kalojnë Vettingun, po shfrytëzojnë pushtetin deri sa të munden.
“Javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit, transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm por shumë të rëndë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans që ta kalojnë Vettingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapim ça të kapim’. Ndërtimi i një sistemi të ri drejtësie kërkon kohë”, tha Kryeministri Edi Rama.
Arian Ndoja është prokurori që po heton dosjen e drejtorit të Agjencisë së Kadastrës në Durrës, Liridon Pula, ndaj të cilit Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”. Para disa ditësh, zv/Kryeministri Erjon Braçe tha se drejtori Liridon Pula është viktimë e prokurorit Arian Ndoja.












