Java që formëson një dekadë: Rama takoi atë që e quajti gomar, Serbia forcohet në Kosovë, rasti Dehari

Sot u bënë 21 ditë ose tri javë të plota qëkur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Në javën e tretë pas zgjedhjeve ndodhën një mori gjërash që pritet t’i japin formë të ardhmes së Republikës tonë. E DIELË, PRISHTINË – Para tri javësh qytetarët e Kosovës ishin duke votuar në qendrat e […]
E DIELË, PRISHTINË – Para tri javësh qytetarët e Kosovës ishin duke votuar në qendrat e tyre të votimeve. Por, edhe pas tri javësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ] nuk ka arritur t’i certifikojë rezultatet e dala prej tyre.
Opinioni kosovar ende nuk e di numrin e saktë të votave që morën partitë politike dhe nuk e di as numrin e saktë që morën kandidatët e zgjedhur për deputetë.
Por, megjithatë qytetarët e Kosovës e panë me sytë e tyre se sa i përkushtuar është ky institucion për të numëruar votën e bashkëkombësve tanë serbë, edhe pse ajo votë i dërgoi në spital mbi njëzet komisionerë, edhe pse ajo votë ende dyshohej si e helmuar, edhe pse ajo votë ishte e paligjshme sepse kishte mbërritur me vonesë dhe me mjete jo-adekuate.

U raportua se komisionerët e KQZ-së po dukeshin si punëtorët e impiantit bërthamor Çernobil të rrezikuar nga niveli i lartë i uraniumit pas katastrofës së rrezikshme në vitin 1986. Në të vërtetë, komisionerët e KQZ-së dukeshin si punëtorët e një institucioni joserioz të robtuar ndaj Serbisë – e cila bën kështu një tjetër demonstrim fuqie brenda Republikës së Kosovës pas rezultatit të jashtëzakonshëm që arritën përmes Listës Serbe.
Bash gjatë kësaj jave doli për publikun një pjesë e raportit të përgatitur nga disa ekspertë zviceranë për çështjen e Astrit Deharit, e të cilët kërkonin hetime shtesë duke dyshuar për një vrasje të mundshme të aktivistit të VV-së.

Kjo vragë e rëndë e shoqërisë sonë u thellua edhe më shumë duke helmuar sferën publike me dyshime të forta dhe me partiakizëm të ngjashëm me atë të fillimit të viteve 2000. Por, e vërteta duhet të zbardhet pavarësisht se kujt i përshtatet e kujt jo. Periskopi në vitin 2016 kishte qenë i vetmi medium kosovar që kishte promovuar idenë se hetimet shtetërore ishin bërë shkel-e-shko dhe se mund të kishim të bënim me një vrasje.
Ndërkohë, kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti u takua me homologun e tij shqiptar Edi Ramën në një takim që thuhet se zgjati më shumë se katër orë.
Kryeministri Rama para jo më shumë se një viti e quajti tërthorazi gomar Kurtin për fjalët e tij kundërshtuese ndaj Thaçit në të cilat e shihte si “tradhtar”. Por, duket që fjalët nuk kanë shumë rëndësi për kryeministrat tanë, edhe pse të dy shquhen për aftësi të mira në të folur.
E ndërkohë që Kosova bën dalëngadalë tranzicion politik, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë intensifikuar thirrjet për ish-ushtarët e UÇK-së, edhe pse ende s’e kanë ngritur asnjë aktakuzë.












