Sipas Mushkolajt tashmë ekziston një kornizë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar sot se tashmë ekziston një marrëveshje kornizë mbi bazën e të cilës pritet të arrihet marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun që po mbahet në Bruksel për normalizimin e raporteve. Këto komente Mushkolaj i ka bërë sot në emisionin “Express” të KTV-së dhe vetëm një ditë pasi që […]
Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar sot se tashmë ekziston një marrëveshje kornizë mbi bazën e të cilës pritet të arrihet marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun që po mbahet në Bruksel për normalizimin e raporteve.
Këto komente Mushkolaj i ka bërë sot në emisionin “Express” të KTV-së dhe vetëm një ditë pasi që Koha Ditore ka raportuar se Rezoluta për dialogun me Serbinë është shkelur nga vetë Delegacioni shtetëror.
Në të parashihej që delegacioni ta finalizonte Platformën e dialogut brenda një muaji, prej kur Rezoluta do të miratohej nga deputetët, por kjo detyrë nuk është kryer as të mërkurën, kur është mbërritur afati i skajshëm prej 31 ditësh.
E analisti Imer Mushkolaj në “Express Intervistën” ka thënë se kjo nuk është shkelja e parë që kanë bërë institucionet e Kosovës.
Ai ka thënë se Thaçi nuk do ia dorëzojë asnjë dokument ekipit negociator por vetëm do t’i njoftojë gojarisht për procesin e deritanishëm.
“Me platformë janë vonuar shumë, Hoxhaj tha se brenda 10 ditëve do të kryhet por pritet të shihet. Nuk e di se çfarë dokumentacioni po presin. Mendoj se Thaçi nuk ka asgjë çfarë do t’u ofrojë. E kjo mund të ndodhë të zgjidhet përmes një takimi me presidentin që do iu tregonte gojarisht se çfarë ka ndodhur deri tani në dialog”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij ky proces ka nisur mbrapsht, derisa shton se nuk ka fare transparencë.
“Nuk ka pasur transparencë deri më tani. Do të duhej të kishte transparencë të madhe, ne ende nuk e dimë se cilat janë vijat e kuqe. Nëse diskutojmë me ndonjërin prej ekipit negociator do të na thonë për njohje, por jo edhe me çfarë kushtesh. Opinioni nuk di asgjë, dhe nëse e pyesim një qytetar ai ka frikë se mund të ketë shkëmbim të territoreve”, ka thënë ai.
Sipas Mushkolajt nuk qëndron ajo se delegacioni do të ndalojë presidentin.
“Them se do të zhvillohen bisedime paralele. Jemi në një situatë kur thuhet se deri në maj ose qershor do të arrihet një marrëveshje finale. Besoj se ekziston një kornizë e marrëveshjes, mos të them e imponuar. Është normale që të ketë edhe takime të tjera, që nuk janë publike. Besoj se ekziston ajo kornizë mbi të cilën pritet të arrihet marrëveshja”, ka thënë Mushkolaj.
Ai shton gjithashtu se, “besoj se nuk do të vendosin vetëm Thaçi e Vuçiqi por edhe fuqitë e mëdha, SHBA-ja, Rusia e BE-ja”.
Derisa shton se Mitrovica mund të bëhet një vetëm nëse arrihet një marrëveshje në Bruksel.
“Nuk është e rastësishme se tash është bërë peticioni, por ajo nuk e bashkon qytetitn. Ai mund të bashkohet vetëm nëse ka shkëmbim territoresh. E kam parë një lloj sinjali që serbëve t’iu arsyetohet që ja edhe Putini është i interesuar për marrëveshjen finale. Shumica e deklaratave bëhen për konsum politik, me opozitën që atje është shumë shumë e dobët. Protestat nuk kanë lider atje”, ka thënë Mushkolaj, raporton Koha.net. /Periskopi












