Pupovci kundër ndërprerjes së mësimit: Nuk janë shtjerrë mjetet tjera për përmbushjen e kërkesave të drejta t’mësuesve

Profesori Dukagjin Pupovci, njëherësh drejtor i Qendrës për Arsim në Kosovë dhe ekspert i fushës së arsimit, ka dhënë vlerësimin e tij në lidhje me grevën që pritet të nis nga nesër nga punonjësit e arsimit në nivelin parauniversitar. Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës(SBASHK), ka njoftuar sot se greva mund të […]
Profesori Dukagjin Pupovci, njëherësh drejtor i Qendrës për Arsim në Kosovë dhe ekspert i fushës së arsimit, ka dhënë vlerësimin e tij në lidhje me grevën që pritet të nis nga nesër nga punonjësit e arsimit në nivelin parauniversitar. Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës(SBASHK), ka njoftuar sot se greva mund të zgjasë për disa muaj, derisa kërkesat e punonjësve të arsimit parauniversitar të përmbushën, e që kanë të bëjnë me koeficientin e pagës së tyre.
Pupovci në një deklaratë për Periskopin ka thënë se revolta e punonjësve të arsimit është e arsyeshme, pasi koeficientet e pagave nuk janë përcaktuar në mënyrë të drejtë.
“Kështu, një mësimdhënës i arsimit fillor ose të mesëm krahasohet me një infermier, ndërsa ka pagën për 1/3 më të vogël sesa një mjek ose një asistent fillestar në Universitet. Po shihet se avokimi i sektorëve siç janë shëndetësia dhe arsimi i lartë ka pasur ndikim në përcaktimin e koeficientëve, ndërsa punonjësit e arsimit parauniversitar kanë mbetur në pozitë të palakueshme”, tha ai për Periskopin. Megjithatë, sipas Pupovcit, situata po dramatizohet pa nevojë, sidomos me paralajmërimin për grevë disamuajshe.
“E para, ky Projektligji nuk është shqyrtuar ende në Kuvend, pra ka hapësirë të diskutohet për koeficientët, sidomos pasi në opinion ekziston një mirëkuptim për kërkesat e mësimdhënësve. E dyta, Projektligji pritet të ketë implikime serioze financiare për Buxhetin e Kosovës, jo vetëm për shkak të arsimit, prandaj edhe nuk besoj se Kuvendi do të nxitojë për ta aprovuar”, ka thënë Pupovci.
Arsyeja e tretë sipas tij është fakti që punonjësit e arsimit nuk i kanë shtjerrë të gjitha mjetet ligjore për përmbushjen e këresave të tyre për të dalë tek greva dhe bojkoti i mësimit.
“E treta, nuk mendoj se ia vlen që punonjësit e arsimit të mbeten pa u paguar për disa muaj, ndërsa nxënësit të humbin disa muaj mësim, para se të shterren të gjitha mjetet tjera për arritjen e një marrëveshjeje. Tek e fundit, ne kemi një Kuvend që mezi funksionon dhe fare lehtë mund të ndodhë që ky Ligj të shtyhet me premtime boshe, duke bërë ndryshime kozmetike në tekstin e tij, por duke mos e aprovuar. Prandaj në kushtet e tanishme mjafton të arrihet një marrëveshje parimore që të mos procedohet me aprovim të Ligjit pa u arritur një pajtueshmëri rreth koeficientëve, pastaj të formohen grupe pune ku do të jetë i përfaqësuar edhe SBASHK-u, e që do të punojnë në eliminimin e anomalive të Porjektligjit”, ka vlerësuar Pupovci në një deklaratë për Periskopin.
Greva nis nesër, derisa nuk dihet sa do të zgjasë. Pakënaqësi rreth dallimeve në koeficientë në pagë, sipas Ligjit të ri mbi Pagat ka pasur edhe nga punonjësit mjekësor, nga administrata e gjykatave, si dhe Trepçës. /Periskopi












