Partia e Gruevskit e konsideron vepër penale Ligjin për Gjuhët

Rreth shpalljes së Ligjit për Gjuhët në Gazetën zyrtare ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare duke paralajmëruar se kjo është vepër penale për të cilën mund të përfundohet në burg. “Paralajmërojmë drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg dhe […]
Rreth shpalljes së Ligjit për Gjuhët në Gazetën zyrtare ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare duke paralajmëruar se kjo është vepër penale për të cilën mund të përfundohet në burg.
“Paralajmërojmë drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg dhe të cilën e bartë drejtori i Gazetës zyrtare dhe të gjithë të involvuarit e tjerë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së lidhur me gjuhët zyrtare në Maqedoni, përcjell Alsat M.
Nga kjo parti theksojnë se LSDM-ja edhe njëherë ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë.
Ligji për Gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanovi, nuk e dekretoi me arsyetimin se i ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Ivanovi ka vazhduar të mos e nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.












