Momentet më interesante të Kuvendit më 2017

22 dhjetori i 2017-s mbetet si një nga netët më dramatike për Kuvendin e Kosovës, aty ku me dirigjimin e presidentit Hashim Thaçi u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Reagimi i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar parandaloi këtë veprim të rrezikshëm, por ethet se mund të ndodhte ende diçka e tillë u përcollën edhe në 2018-n. […]
22 dhjetori i 2017-s mbetet si një nga netët më dramatike për Kuvendin e Kosovës, aty ku me dirigjimin e presidentit Hashim Thaçi u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
Reagimi i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar parandaloi këtë veprim të rrezikshëm, por ethet se mund të ndodhte ende diçka e tillë u përcollën edhe në 2018-n.
Gati gjatë gjithë muajit janar nuk u hoq nga rendi i ditës së Kryesisë kjo pikë, pavarësisht se kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte shtyrë deputetët e PDK-së t’i tërhiqnin nënshkrimet nga kjo iniciativë e rrezikshme për vendin.
Kështu, ngadalë, vetë Kadri Veseli nisi t’u dërgonte mesazhe ish-bashkëluftëtarëve se Specialja do të bëhet, prandaj u kërkoi të përgatiteshin për sfidat duke u shprehur i sigurt se të gjithë do të dalin faqebardhë.
Krahas presionit ndërkombëtar për të mos e shfuqizuar Specialen, Kosova gjendej edhe përballë presionit të vazhdueshëm për ta votuar demarkacionin, temë kjo që për vite të tëra krijoi rrëmujë në Kuvendin e Kosovës.
Ramush Haradinaj, si kryeministër, ishte i bindur se marrëveshja do të kalonte, duke korrigjuar gabimet që kishte bërë Hashim Thaçi kur e nënshkroi atë në Vjenë.
Por, presidenti nuk ka qëndruar duarkryq. Atë që e nisi, vendosi edhe ta përfundonte.
Ai arriti marrëveshje me shkrim me homologun e tij Filip Vujanoviq për të korrigjuar gabimet e mundshme gjatë demarkimit të kufirit me Malin e Zi.
Por, pavarësisht kësaj, shkurti kaloi me plot tentime të dështuara për ta votuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacion.
Problemet që u shfaqën në fundvit në Vetëvendosje, e që nisën të dilnin në pah muajt e parë të 2018-s, u bënë shpresë për koalicion qeverisës.
Donika Kadaj-Bujupi vendosi të mos mbetej as në krahun e Albin Kurtit e as në të Shpend Ahmetit, që po bëhej gati bashkë me 12 deputetë të Kuvendit të krijonte parti të re.
Ajo u kthye në shtëpinë e saj të vjetër, AAK, duke i mundësuar koalicionit votimin e marrëveshjes për demarkacion. Por, as vota e Donika Kadaj-Bujupit nuk ishte e mjaftueshme. Koalicioni gjendej përballë presionit për ta gjetur edhe një deputet. Adem Hoxha i Listës Serbe ishte kryefjala në natën finale për demarkacion. Por, deri aty pati shumë probleme.
21 marsi ktheu gazin lotsjellës në Kuvend. Më shumë se 10 bombola gazi u hodhën nga Vetëvendosje, e shumë deputetë përfunduan nën pranga për veprimet e tyre brenda Kuvendit, por marrëveshja megjithatë arriti t’i merrte dy të tretat e votave të deputetëve.
Marsi do të mbahet në mend gjatë edhe për një tjetër veprim.
Kosova ka shënuar rastin më të rëndë në histori, duke dëbuar pa procedura e në mënyrë krejtësisht të fshehtë 6 shtetas turq të kërkuar si gylenistë nga pushteti i Erdoganit. Për të hetuar mënyrën e dëbimit të 6 shtetasve turq, Kuvendi formoi Komisionin Hetimor me kërkesë të partive opozitare.
Ata që punuan gjatë për zbardhjen e këtyre keqpërdorimeve thonë se komisioni ka arritur qëllimin për të cilin u krijua, derisa besojnë se Prokuroria do të ketë guxim të merret edhe me presidentin Hashim Thaçi.
Kur presidenti pa që reagimet ishin të ashpra, fjalën ‘shkëmbim’ e bëri ‘korrigjim’.
Të ushqyer me këtë ide të presidentit, liderët e Luginës disa herë erdhën në Prishtinë për të kërkuar mbështetje nga partitë kundërshtare të këtij plani të presidentit.
Për ta parandaluar këtë synim të presidentit, disa herë u bënë bashkë partitë opozitare, por pa sukses.
Aty dështuan të gjitha përpjekjet e LDK-së dhe Vetëvendosjes që përmes rezolutave të ndalonin presidentin, sikurse që dështoi edhe vetë pushteti në mungesë konsensusi e votash ta votojë ekipin negociator, në krye me Fatmir Limajn.
Opozita dështoi edhe në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë, pavarësisht që deklarimet ishin të forta se kjo do të bëhej.
Dy partitë opozitare, LDK e VV, nisën që PSD-në ta shohin si patericë të pushtetit, meqë u shfaq e gatshme të përfshihet në dialog e presidentit t’ia shkurtojë kompetencat përmes ligjit.
Por, jo vetëm kaq. Problemet e Kuvendit ishin të mëdha. Kuorumi thuajse nuk ishte në shumicën e kohës. Por, kur arrinin t’i bënin 61 deputetë në sallë pushteti votonte me të madhe ligje, duke dalë kështu legjislatura me më së shumti ligje të miratuara brenda një viti, pavarësisht se ato kalonin me pak ose fare diskutime.
Viti 2019 do të vazhdojë ta gjejë Kosovën me diskutimet e nxehta për dialog, e me plot zhvillime rreth Gjykatës Speciale.












