Lushtaku nuk e di se për çka do të intervistohet në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku është nisur për në Hagë, ku do të intervistohet nga Prokuroria Speciale. Lushtaku ka treguar para mediave se do të intervistohet më datën 16 janar por që nuk ka informacione se në çfarë cilësie do të intervistohet. Ai njëherësh ka thënë që mbështetja nga miqtë nuk po i mungon. “Do […]
Lushtaku ka treguar para mediave se do të intervistohet më datën 16 janar por që nuk ka informacione se në çfarë cilësie do të intervistohet. Ai njëherësh ka thënë që mbështetja nga miqtë nuk po i mungon.
“Do të më kishte ardhur keq nëse nuk më kishin thirrë… Nuk e di për çfarë do të intervistohem, pres me e ditë kur të shkoj me 16 janar. Të gjithë miqtë e mi, shokët e mi dhe ata që kanë dashur më kanë telefonuar, më kanë kontaktuar. Natyrisht që po”, ka thënë Lushtaku.
Kurse, avokati Arianit Koci beson se ish-komandantët do të kthehen ashtu siç po shkojnë. Ai ka konfirmuar se Lushtaku do të intervistohet më datën 16 janar, kurse Rrustem Mustafa më datën 14 të këtij muaji.
“Mirë po shkojmë, mirë do të kthehemi. Zoti Lushtaku fluturoi tash. Ai do të intervistohet më 16 janar dhe këtë kohë e ka shfrytëzuar për një vizitë familjare, ndërsa zoti Mustafa do të intervistohet nesër më 14 janar. Data për zotin Lushtaku është shtyrë për shkak se dytë e kanë pasur të njëjtin avokat dhe është dashur ta koordinojmë kohën”, ka sqaruar Koci.
Sami Lushtakun do ta shoqërojë për në Hagë deputeti Milaim Zeka. Ai ka thënë para mediave se një gjë të tillë po e bën me vetë dëshirë, sepse beson në luftën e tyre.
Zeka ka thënë se nuk dyshon në luftën e tyre, megjithatë ka pranuar se nuk ka asnjë informacion nëse Lushtaku mund të ketë kryer krime ndaj civilëve.
“Gjykata Speciale nuk ka pretendime për ta gjykuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzat do të jenë individuale, unë besoj në mënyrë absolute në pastërtinë e gjeneralit Lushatku, e di biografinë e tij, e njoh herët, e di luftën në çfarë mënyre e ka bërë dhe nuk kam asnjë dyshim, asnjë informacion që ky njeri ka bërë ndonjë krim ndaj civilëve, ndonjë gjë që mund ta implikojë një vepër penale në bazë të parametrave ndërkombëtar sepse në Kosovë drejtësia është zero”, ka thënë Zeka.
Për t’i përcjellur në aeroport ka dalë edhe deputetja Ganimete Musliu. Ajo ka thënë se dalë t’i ofrojë mbështetje morale, një gjë të tillë, sipas saj duhet ta bëjë edhe shteti i Kosovës.
“Shteti duhet të jetë prapa tyre në çdo moment, këta po shkojnë edhe kësaj radhe të sfidohen me drejtësinë, krenarë si gjithmonë për të kaluarën e tyre, pra sot ma shumë kam dalë që të jem pranë familjes së tij se sa që të bëj një punë time si deputete, moralisht jam me familjen e tij dhe me kryetarin, me Remin dhe me të gjithë ata të cilët e marrin këtë rrugë. Konsideroj se çmimin e lirisë dikush po e paguan shumë shtrenjtë, por shpresoj që ashtu siç kanë ditur të jenë stoik edhe krenarë në luftën që e kanë filluar, e kanë përfunduar, i kanë sjellë liri vendit, ashtu edhe të kthehen nga ky proces”, ka thënë Musliu.
Ftesë nga Prokuroria Speciale ka marrë edhe ish-komandanti Rrustem Mustafa, që pritet të udhëtojë sot për në Hagë, e do të intervistohet nesër.
Ndërkaq, Gjykata Speciale në Hagë do të veprojë me ligje të Kosovës por me gjykatës e prokurorë ndërkombëtar.
Hetimet që është duke kryer kjo gjykatë, do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.












