Ismaili hesht për vdekjet e dyshimta në QKUK, merret me taksën e unitetin politik

Uran Ismaili edhe njëherë ka lënë anash punën e tij si ministër i Shëndetësisë, për t’u deklaruar si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, për çështjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Këtë të fundit ai e trajton më me prioritet se brengat e qytetarëve të shumtë, të cilët që nga mbrëmë nuk […]
Ismaili, në një emision në televizionin publik foli për interesat shtetërore të Kosovës, për të cilat tha se janë në vijë të plotë me ato të ndërkombëtarëve, e në veçanti amerikanëve.
Ky deklarim i Ismailit po vie në një periudhë mjaft të ndjeshme të sektorit që ai udhëheq – atij të shëndetësisë, sidomos që nga mbrëmë ku po vazhdojnë raportimet e qytetarëve për përvojat aspak të këndshme me mjekë në QKUK, disa prej të cilave madje u kanë kushtuar me jetë pacientëve.
“Taksa që është vendosur nga Republika e Kosovës ka funksionuar. Edhe në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik, janë arritur rezultatet me këtë taksë. Tani jemi në një situatë kur medialisht thuhet se kemi një trysni nga SHBA-të për heqjen e taksës. Ajo që ne e shohim në politikë, interesat amerikane dhe interesat e Kosovës kanë qenë goxha të harmonizuara. Ne kemi qenë një shtet që kemi pasur mbështetje tepër të madhe të Amerikës dhe ende e kemi atë”, deklaroi ai sonte në një emision, në cilësinë e nënkryetarit të PDK’së.
Por, që nga mbrëmë është ndezur një alarm për gjendjen në shëndetësi, si një nga sektorët me më së shumti telashe – sidomos ligjore – në vend.
Vëllai i ish-ushtarit të UÇK’së, Avni Hysenit, Adnan Hyseni, në një rrëfim në Tv Dukagjini, ngriti dyshime se trajtimi jo i duhur nga mjekët i kushtoi me jetë vëllait të tij, i cili kishte qenë në komë për disa javë.
Madje, ai akuzoi një nga infermieret se ia kishte shitur për 48 euro terapinë, që në fakt kushtonte veç 5 euro. Ajo u suspendua sot.
Ai paralajmëroi padi ndaj mjekëve dhe infermiereve.
Menjëherë pas rrëfimit të tij, pati edhe reagime të shumtë të ngjashme për trajtimin jo të duhur nga mjekët në QKUK.
Periskopi raportoi se si zyrtari i Komunës së Pejës, Leonard Shabanaj rrëfeu rastin e nënës së tij, për vdekjen e dyshimtë të së cilës akuzon mjekët e QKUK’së që trajtuan atë.
Kohëve të fundit, shqetësuese në sektorin e shëndetësisë kanë qenë edhe grevat e mjekëve, të cilat u kanë kushtuar pacientëve me pritje të gjata për marrjen e terapive të tyre.
E, Ismaili këto çështje mundohet t’i zgjidh shpejt e shpejt me anë të postimeve në rrjetin social “Facebook”, ku është mjaft aktiv.
Por, shpeshherë mungojnë hapat konkret për tejkalimin e këtyre shqetësimeve të një prej sektorëve më të rëndësishëm në vend – atë të shëndetësisë.
Andaj, për Ismailin si përgjegjës kryesor i sektorit të shëndetësisë me prioritare do të duhej të ishin çështjet e këtij sektori, se ato të tjerat siç janë taksa e uniteti politik, me të cilat po merren pothuajse të gjithë akterët politikë në vend./PERISKOPI












