Haradinaj dje ia kujtoi LDK-së Lutfi Hazirin, a iu përgjigj Mustafa tash me këtë mesazh

“LDK është unike dhe nuk i ka dy zëra” – kjo është përgjigja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili rekomandoi që partia më e madhe opozitare t’i bashkohet dialogut, e të mos flas me dy zëra – raporton Periskopi. Mustafa […]
Mustafa ka shkruar se nga opozita, LDK përkrah dialogun me kriteret e definuara në Këshillin e përgjithshëm të LDK’së.
“LDK në asnjë variant dhe me asnjë kusht nuk bëhet pjesë e kësaj Qeverie. Nuk bëhet pjesë e këtij ekipi negocues! Kjo Qeveri duhet të rrëzohet një ditë e më parë. LDK është partia më e madhe në Kosovë. LDK është në opozitë. Është unike dhe nuk i ka dy zëra. Nga opozita LDK e përkrah dialogun me kriteret e definuara në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Po e përsëris dhe ripërsëris një qëndrim të LDK-së që të gjithë e dinë por po mundohen ta manipulojnë për ta dëmtuar LDK-në. IM”, shkroi ai sonte në Facebook.
Por, në fakt – LDK nuk është unike dhe po – i ka dy zëra.
Njëri nga zërat ndryshe brenda kësaj partie është nënkryetari Lutfi Haziri, të cilin Mustafës ia përmendi dje edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
“LDK është e mirëseardhur me marrë përgjegjësi në vend, sa i përket qeverisjes unë duhet të konsultohem me kolegët e mi në koalicion se çfarë thonë ata për një mundësi të tillë. Është e habitshme mosardhja e tyre në tavolinë për dialogun. Nëse ata janë kundër korrigjimit të kufijve… Lutfi Haziri që është dalë pak ma ndryshe edhe janë ba LDK-ja me fol me dy zana, dhe nëse kishin ardhur në tavolinë ishin forcuar ata që janë kundër korrigjimit të kufijve”, deklaroi dje kryeministri Haradinaj.
Pra, në deklaratën e tij ai përmendi qëndrimin e Hazirit për çështjen e kufijve, e cila është kundërshtuar fuqishëm nga partia e Mustafës.
Lutfi Haziri – jo vetëm në LDK – ishte ndër politikanët e vetëm në vend që përkrahen hapur idenë e ndryshimit të kufijve, e nisur nga presidenti Hashim Thaçi.
Haziri tha se negociatat në Bruksel duhet të rezultojnë me bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Kjo ide që nga fillimi i saj ishte kundërshtuar nga bashkëpartiakë të Hazirit, për të cilët kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. /PERISKOPI












