Analistët: As në vitin 2019 nuk do të ketë liberalizim të vizave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë e ka quajtur të arsyeshme nëse do të mbahej edhe një takim i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) në muajin shkurt dhe të merrej vendimi për liberalizimin e vizave, por njohës të çështjeve politike në vend megjithëse e vlerësojnë si kërkesë të drejtë, thonë se […]
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë e ka quajtur të arsyeshme nëse do të mbahej edhe një takim i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) në muajin shkurt dhe të merrej vendimi për liberalizimin e vizave, por njohës të çështjeve politike në vend megjithëse e vlerësojnë si kërkesë të drejtë, thonë se asgjë nuk ka të sigurt sa i përket vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.
Në një prononcim për Telegrafin njohës të rrethanave politike theksuan se disa vende evropiane deri tash nuk kanë treguar gatishmëri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se politikat e brendshme të shteteve anëtare po shprehen në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian.
Analisti Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin theksoi se kryeministri me të drejtë ka dhënë një deklaratë të tillë, por se a do të ketë sukses nuk dihet.
Tahiri ka thënë se vendet evropiane deri tash nuk kanë treguar gatishmëri për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Varet prej politikave evropiane, pasi deri tash nuk kanë treguar gatishmëri. Politikat e brendshme të shteteve po shprehen në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) sepse vendet nuk po munden t’i autorizojnë ministrat pro liberalizimit. Ramush Haradinaj me të drejtë e paraqet një kërkesë të tillë edhe zyrtarisht edhe publikisht por a do të ketë sukses nuk dihet”, ka thënë Tahiri.
I pyetur se a do ketë mundësi që vendimi për liberalizim të vizave të merret në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, ai tha: “Nuk besoj. Shansi i fundit është ashtu siç ka thënë Haradinaj në shkurt, nëse mbahet mbledhja, përndryshe nëse nuk mbahet nuk ka liberalizim të vizave”.












