Vjosa Osmani paralajmëron kohëra të errëta: Thaçi e Vuçiq mund të ndalen vetëm nga qytetarët

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me përmbajtjen e fjalimit të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq të mbajtur ditën e diel, gjatë vizitës së tij në Kosovë. “Sot Vuçiqi në Kosovë e quajti Milosheviqin ‘lider të madh’, gjenocidin e Milosheviqit ‘luftë të ndershme’, dhe shprehi krenarinë e tij me Dobrica Çosiqin dhe ideologë […]
“Sot Vuçiqi në Kosovë e quajti Milosheviqin ‘lider të madh’, gjenocidin e Milosheviqit ‘luftë të ndershme’, dhe shprehi krenarinë e tij me Dobrica Çosiqin dhe ideologë të tjerë të politikave hegjemoniste serbe. Për më tepër, ai shprehu pretendime territoriale jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, fjalimi i Vuçiqit paralajmëron kohëra të vështira në Ballkanin Perëndimor, paralajmëron se Serbia vazhdon t’i preferojë jostabilitetin e tragjeditë njerëzore.
“Të gjitha këto të paketuara në një fjalim që aty-këtu përmendte paqen e pajtimin”.
Deputetja e LDK-së tha se “BE reagoi pse nuk u lejua në Drenicë i preferuari e i përkëdheluri i tyre, ish-ministri i propagandës së Milosheviqit dhe sekretari i përgjithshëm i Sheshelit kur në Ballkan kryhej gjenocid.”
E në reagimin e saj nuk u la pa u përmendur as reagimi i presidentit të vendit Hashim Thaçi, të cilin e quajti edhe mik të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Në fund Vjosa Osmani theksoi “Siç u dëshmua sot në Drenicë, planet luftë-nxitëse e logjika e shekullit të 19-të e ndarjes në vija etnike e promovuar nga Vuçiq-Thaçi, mund të ndalet vetëm nga qytetarët.”












