Thaçi: Ju heq çdo dilemë, jam pro transformimit të FSK-së në ushtri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se e mbështete plotësisht transformimin e FSK-së në ushtri. Gjatë një konference të tij, sot Thaçi tha se nuk dinte asgjë që Qeveria e ka miratuar Projektligjin për FSK-në, përmes të cilit Forca e Sigurisë shndërrohet në ushtri. Por, nëpërmjet një statusi në Facebook, të lëshuar pak më […]
Gjatë një konference të tij, sot Thaçi tha se nuk dinte asgjë që Qeveria e ka miratuar Projektligjin për FSK-në, përmes të cilit Forca e Sigurisë shndërrohet në ushtri. Por, nëpërmjet një statusi në Facebook, të lëshuar pak më parë, ai e ka përkrahur projektligjin duke bërë thirrje që të dërgohet sa më parë në Kuvend.
Ky është statusi i plotë i Presidentit:
Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi. Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë. Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim. Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën. HTH












