Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë në fushën e armëve bërthamore

Agjencia për Energji Bërthamore e Rusisë, Rosatom, prezantoi të hënën planin e punës së saj në tregun e Serbisë. Zëvendësdrejtori i Departamentit për Zhvillim dhe Ndërmarrje Ndërkombëtare pranë Rosatom-it, Boris Arsejev, tha se kjo kompani është e gatshme t’i ofrojë Serbisë “përtej energjetikës”. “Në radhë të parë bëhet fjalë për zhvillimin e potencialit shkencor dhe […]
Agjencia për Energji Bërthamore e Rusisë, Rosatom, prezantoi të hënën planin e punës së saj në tregun e Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Departamentit për Zhvillim dhe Ndërmarrje Ndërkombëtare pranë Rosatom-it, Boris Arsejev, tha se kjo kompani është e gatshme t’i ofrojë Serbisë “përtej energjetikës”.
“Në radhë të parë bëhet fjalë për zhvillimin e potencialit shkencor dhe inovativ të Serbisë dhe zgjidhjet në fushën e mjekësisë bërthamore. Ne zhvillojmë gjithashtu energji alternative, burime të ripërtëritshme të energjisë”, tha Arsejev në një konferencë për media në Beograd, së bashku me ministrin pa portofol në Qeverinë e Serbisë, përgjegjës për inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, Nenad Popoviq.
Ky i fundit u shpreh i bindur se “ky bashkëpunim me Rosatom-in “do të sjellë shumë mundësi të reja dhe shumë vende të reja pune”.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cili do të jetë vëllimi i investimeve të Rosatom-it, Popoviq nuk dha përgjigje konkrete.
“Pas dhjetëra vitesh pa kontakte midis Rosatom-it dhe kompanive nga Serbia, institucioneve kërkimore shkencore, është herët të flitet për investime. Është e rëndësishme që është vënë kontakti i parë”, tha Popoviq.
Delegacioni i Rosatom-it ka shkuar në Beograd më pak se katër muaj pasi në Soçi të Rusisë, Popoviq dhe drejtori i përgjithshëm i korporatës shtetërore ruse Rosatom, Aleksej Lihachov, kanë nënshkruar një dokument për parimet e bashkëpunimit Rusi-Serbi në fushën e energjisë bërthamore, për qëllime paqësore.
Rosatom, siç thuhet në faqen e tij zyrtare, është i pranishëm në 44 shtete në gjithë botën – prej tyre, 16 në Evropë.
Përpara aplikimit të energjisë bërthamore në mjekësi, Rosatom është i njohur për ndërtimin e centraleve bërthamore. Në projekte të tilla, Rosatom po punon në Bullgari dhe Hungari. Realizimi i tyre nuk ka përfunduar, edhe pse themelet e bashkëpunimit janë ngritur vite më parë.
Projekti për rindërtimin e centralit bërthamor të Belenës në Bullgari është ende nën pikëpyetje.












