Punëtorët e Postës kërkojnë pagat nga Qeveria

Punëtorët e Postës së Kosovës, të mbështetur nga BSPK, kanë mbajtur një protestë para Qeverisë së Kosovës, ku kanë kërkuar pagat e muajit gusht, si dhe shtimin e disa shërbimeve tjera në postë. Etrit Hotim kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, tha se greva tre ditore e tyre ka për qëllim ta informojë opinionin […]
Etrit Hotim kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, tha se greva tre ditore e tyre ka për qëllim ta informojë opinionin publik për mosmarrjen e pagave të muajit gusht. Për këtë, ai tha se fajtorë janë institucionet dhe rastin e quajti papërgjegjshmëri të tyre.
Video “Ka tri ditë që ne kemi zhvilluar një grevë për senzibilzimin e opinionit publik e institucioneve tona, që ju dhe ne ende nuk i kemi marrë pagat e gushtit, me qëllimin e vetëm që Posta e Kosovës nuk ka arritur të ketë mjete të ekzekutojë pagat për shkak të papërgjegjshmërisë të institucioneve bartëse… I duam skemat pensionalem duam PostBankën, i duam të gjitha shërbimet shtetërore të cilat për neve krijojnë jo një stabilitet afatgjatë, por një stabilitet të përhershëm”, ka thënë Hoti.
Kurse Naser Gashi, kryetar i sindikatës “Postieri”, tha se posta e Serbisë operon lirshëm në Kosovë, dhe sipas tij, po ua merr një pjesë të tregut Postës së Kosovës. Ai tha se askush nuk ka reaguar për këtë dhe kërkoi nga qeveria që t’i rimbursohen humbjet e shërbimit postar, që sipas tij arrijnë deri në 5 milionë euro.
“Ne nuk duam asgjë më shumë, por asgjë më pak. Duam që të na rimbursohen humbjet e shërbimit universal postar, gjë që qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj dhe duke e ditur se të gjitha formalitetet tjera janë kryer”, ka thënë Gashi.
Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, tha se po kërkojnë nga qeveria që ta respektojnë ligjin dhe kërkoi nga ministri i Financave që t’ua japë pagat.
“Sot është data 13 dhe ju nuk keni marrë paga, ndërsa ministri i Financave, një javë para bajramit del edhe shitet krenar që ua ka qitë paret e shtetit, taksat tona ndërmarrjeve tjera ose shërbyeseve civilë në Kosovë. I nderuar ministër, paguj borxhet që ia ki njerëzve edhe mos i le njerëzit pa paga sepse është marre për juve”, ka thënë Balaj.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilat ofruan mbështetjen e këtyre sindikatave për protestë.
Pas fjalimeve, shefi i kabinetit të kryeministrit i pranoi në një takim përfaqësuesit e këtyre sindikatave.
Pavarësisht se protestuesit në fillim thane se nuk largohen pa dale kryeministri, pas takimit të përfaqësuesve, ata u pajtuan ta ndërprenë protestën deri në një afat të pacaktuar.
Ndërkaq, nesër në ora 16:00, kryeministri Haradinaj do ta presë në takim delegacionin e këtyre sindikatave.












