Nuk dihet se kur do shqyrtohet rezoluta e PSD-së për dialogun

Rezoluta e Partisë Socialdemokrate për dialogun me Serbinë ende nuk ka gjetur mbështetjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Madje deputetët që e kanë iniciuar këtë rezolutë thonë se nuk kanë marr ende përgjigje as nga partitë në pozitë dhe opozitë se a do e votojnë këtë rezolutë e cila është në rend dite në […]
Rezoluta e Partisë Socialdemokrate për dialogun me Serbinë ende nuk ka gjetur mbështetjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Madje deputetët që e kanë iniciuar këtë rezolutë thonë se nuk kanë marr ende përgjigje as nga partitë në pozitë dhe opozitë se a do e votojnë këtë rezolutë e cila është në rend dite në seancën e sotme të Kuvendit.
Shumica e deputetëve të partive politike janë shprehur se kjo rezolutë duhet të shqyrtohet, por ka edhe prej atyre që thonë se nuk do e votojnë këtë rezolutë pa u përfshirë në paketë edhe ekipi negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri e Kosovës, Fatmir Limaj.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu ka thënë se rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë do e shqyrtojnë, dhe do japin kontributin e tyre për të përafruar në mendim të përbashkët të partive politike në Kuvend për përmbylljen e dialogut me Serbinë.
“Fatkeqësisht që nuk është diskutuar shumë nga partitë tjera opozitare me përjashtim të PSD-së, megjithatë atë rezolutë do ta shikojmë sepse e kemi përfaqësuesin tonë aty dhe gjithçka çka është me interes të zgjidhjes së situatës, që është me interes për të gjithë vendin, pra përmbyllja e dialogut me Serbinë, ne do jemi aty , do japim kontributin tonë dhe do ta përafrojmë në mënyrë që ta marrim një mendim, një qëndrim të përbashkët të gjitha subjekteve politike në Kuvend”, u shpreh Haxhiu.
Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila u shpreh se e rëndësishme për këtë subjekt politik është të vazhdohet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita dhe të votohet rezoluta për mos ndryshimin e kufijve.
Për rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë tha se kjo rezolutë është në frymën e asaj çka synon opozita të përfshij në platformën e përgjithshme të bisedimeve.
“Konsiderojmë që është shumë e rëndësishme që të vazhdohet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për rezolutën për mos ndryshimin e kufijve, rezoluta e PSD-së është në frymën e asaj çfarë synon opozita të përfshij në një platformë të përgjithshme, është shumë mirë që dje ka shkuar një letër për përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit në frymën e opozitës së bashkuar dhe me disa pjesë të cilat janë edhe pjesë e rezolutës së PSD-së, konsiderojmë se tashmë Kuvendi duhet të mobilizohet pozitë dhe opozitë në një pikë, ku duhet së pari të kaloj rezoluta e ofruar nga opozita për mos ndryshim të kufijve , së dyti të miratojmë në Kuvend platformën e bisedimeve dhe së treti pastaj delegacionin për bisedime…Ne do të bisedojmë edhe me PSD se si t’i qasemi kësaj rezolute, bashkëpunimin e kemi , gatishmërinë e kemi që të vazhdojmë bashkëpunimin por edhe që të kem plat formën e përbashkët të gjitha partive në Kuvend”, u shpreh ajo.
Milaim Zeka deputeti i Nismës Socialdemokrate, thotë se nuk do e votojë asnjë rezolutë e cila nuk pranon që në paketë të votohet edhe grupi negociator i propozuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Zeka shqetësuese dhe fyese e ka quajtur letrën që dje partitë opozitare ia kanë dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederika Mogherini, duke thënë se kanë mundua që edhe partitë e pozitës të nënshkruajnë atë letër.
“Unë nuk do ta votojë asnjë rezolutë e cila nuk pranon që në paketë të votohet edhe grupit negociator i propozuar nga kryeministri Haradinaj të cilit do t’i prij zotëri Fatmir Limaj. Opozita sinqerisht nuk po din çka po don, a dojmë bisedime me Serbinë kur i pyet thonë po, ani atëherë pse mos me marr pjesë Qeveria edhe opozita në këto bisedime. Me një anë e kritikojnë edhe e shajnë gjithë ditën Thaçin duke thënë që ai vetë po vazhdon bisedimet me Vuçiqin, ai nuk po e pyet askënd, në momentin që presidenti i vendit i bënë ftesë pozitës dhe opozitës me u bashkangjitur në delegacion me shkua në bisedime në Bruksel ne u bëmë hora e zotit përpara bashkësisë ndërkombëtare”, tha Zeka.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj duke e konsideruar si të drejtë rezolutën e propozuar nga ky subjekt politik, thotë se presin mbështetjen e partive politike për ta miratuar këtë rezolutë, ndonëse sipas tij nuk kanë parë ndonjë reagim pro kësaj rezolute nga partitë në pozitë dhe opozitë.
“Nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare as nga partitë opozitare as ato në pushtet, besojmë që ka qenë një rezolutë e drejtë e duhur dhe në kohë shumë të rëndësishme për shkak se tashmë po i shohim të gjitha ngërçet politike që ndodhën pas sezonit pranveror të Kuvendit dhe pushimit të tij. Rezoluta jonë parasheh një mënyrë të duhur dhe një proces të rregullt drejt vendimmarrjes sa i përket procesit të dialogut, megjithatë sot është seanca është pika 6 e rendit të ditës dhe presim mbështetjen nga të gjitha forcat politike”,u shpreh Molliqaj.
Lidhur me deklarimet e deputetit të Nismës, Milaim Zeka se nuk do e votojnë asnjë rezolutë pa përfshirjen e ekipit negociator, Molliqaj tha se presin që fillimisht kjo rezolutë të miratohet, pasi si e tillë ajo e obligon Kuvendin e Kosovës që me dy të tretat të miratohet ekipi negociator dhe platforma për dialogun me Serbinë.
Edhe deputeti i AKR-së Islam Pacolli thotë se do ta shqyrtojnë nëse do ta përkrahin rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë.
Sipas tij nuk do lejojnë askënd që ta cenojë territorin e Kosovës.
“Ne sigurisht që jemi për ruajtjen e territorit të Republikës së Kosovës dhe për asnjë kusht nuk lejojmë që ta cenon dikush territorin e Republikës së Kosovës ,apo t’i prek kufijtë. Prandaj ne kemi bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare edhe me PSD-në ne do ta shqyrtojmë dhe natyrisht pas shqyrtimit do ta vendosim”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe, rezoluta e propozuar nga PSD-ja për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në seancën e muajit korrik nuk kishte marrë një epilog në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit.
Rezoluta për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë thotë:
- Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës, duke qenë organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës në vend;
- Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e miraton Platformën Shtetërore për Dialogun e cila do të shërbejë si dokument bazë i parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore në këtë proces të rëndësishëm;
- Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e mandaton bartësin/t e dialogut. I/të mandatuarit mbahen përgjegjës nga Kuvendi përgjatë secilës fazë të dialogut, dhe marrin vendime vetëm në dakordancë të plotë me të. Kuvendi i Republikës së Kosovës ruan të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj;
- Kuvendi i Republikës, në pajtim me Nenin 69 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit e themelon një Komision të veçantë që do ta monitorojë për së afërmi procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës që ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit dhe Seancën Kuvendore për çdo zhvillim në procesin e dialogut – e po ashtu të kërkojë debate të rregullta parlamentare gjatë kohëzgjatjes së tij. Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të drejtohet nga Opozita parlamentare kurse përbërja e tij do të caktohet sipas formulës së përdorur në komisionet e rregullta të Kuvendit.












