Mediat serbe tregojnë pse Vuçiqi mund ta anulojë vizitën në Kosovë

Vizita e paralajmëruar si historike e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, e paraparë për këtë vikend, në të cilën ai pritej t’ua komunikojë serbëve se cila do të jetë marrëveshja finale e Brukselit, është vënë në pikëpyetje nga vetë presidenti i Serbisë. Mediat në Beograd kanë raportuar të enjten mbrëma se Vuçiqi është duke e menduar […]
Mediat në Beograd kanë raportuar të enjten mbrëma se Vuçiqi është duke e menduar anulimin e vizitës. Shkaku, sipas gazetës “Novosti”, është se leja për vizitë që i është dhënë atij nga Qeveria e Kosovës ia ndalon ndalimin në Liqenin e Ujmanit.
Sipas “Novostit”, nëse Vuçiqi nuk lejohet të vizitojë edhe Liqenin e Ujmanit, atëherë ai nuk do të udhëtojë fare në Kosovë, ndërsa në pikëpyetje është vënë edhe mbajtja e takimit të dialogut, të premten në Bruksel, përcjell sot Koha Ditore.
Pas raportimit të lajmit në mediat serbe, vetë Vuçiqi ka lënë të kuptohet se është duke e menduar anulimin e vizitës në Kosovë. Në një deklarim për agjencinë shtetërore të lajmeve “Tanjug”, ai ka thënë se për vizitën e paralajmëruar në Kosovë do të vendoset të premten.
Megjithatë, gjithçka ka gjasa se ndërlidhet me faktin se vizita e paraparë të jetë “historike”, në të cilën, siç ka thënë vetë Vuçiqi para disa javësh, ai do të mbajë “fjalimin ndoshta më të rëndësishëm në jetë”, ka disa ditë që po minimizohet nga vetë Beogradi zyrtar.
Burime diplomatike i kanë thënë “Kohës Ditore” se plani fillestar ishte që një ditë pas takimit në Bruksel, ku mendohej të hapeshin negociatat për kufijtë e Kosovës dhe këmbimin e territoreve, Vuçiqi të flasë para serbëve të Kosovës dhe t’ua prezantojë atyre dhe të gjithë serbëve të tjerë konturat e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Por presionet nga shtetet që e kundërshtojnë prekjen e kufijve, sidomos Gjermania, kanë shkaktuar një tërheqje edhe të Vuçiqit edhe të Thaçit, e edhe të lehtësueses Mogherini, kështu që “tani nuk pritet që të premten të nisin negociatat për kufij”.
Kjo, vazhdon burimi i gazetës, nënkupton se “Vuçiqi nuk ka ndonjë mesazh të veçantë për t’ua sjellë serbëve të Kosovës, të cilët edhe ashtu në masë të madhe ia kanë kthyer shpinën atij”.












