Rezolutat nuk mund ta ndalojnë dialogun me Serbinë

Ekzistojnë dy rezoluta të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që bëjnë thirrje për pezullim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por asnjëra dhe as tjetra asnjëherë nuk kishin arritur efektin për të cilin ishin miratuar. Bëhet fjalë për rezolutën e miratuar në Kuvend pas arrestimit të kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj në […]
Bëhet fjalë për rezolutën e miratuar në Kuvend pas arrestimit të kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj në Francë si pasojë e një fletarresti të shtetit serb ndaj tij në Interpol, në vitin e kaluar.
Si dhe rezoluta e vitit 2016 e miratuar pikërisht për shkak të fletarrestimeve të Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pasi ishte arrestuar koloneli i Policisë, Nehat Thaçi në Serbi.
Të dy rezolutat thonë se dialogu duhet të pezullohet derisa Serbia të largojë fletëarrestet që nuk kanë bazë ligjor, e të cilat u konsideruan përndjekje politike ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe figurave politike aktuale të Kosovës që ishin pjesë e saj.
Megjithatë ato asnjëherë nuk kishin pasur fuqinë obligative për Qeverinë apo Presidencën që vazhduan dialogun.
Njëllojë si këto dy rezoluta, politikanë e ekspertë në thonë se do të mund të përfundojë edhe rezoluta e radhës që është propozuar të votohet në Kuvend nga opozita, e që mëtohet të ndalojë presidentin Thaçi apo këdo tjetër që të negociojë për kufijtë e Kosovës.
Kjo ngase juridikisht rezolutat parlamentare nuk kanë fuqi obliguese.
Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje tha për KosovaPress se Thaçi përherë ka injoruar vendimet e Parlamentit, gjë që do ta bëjë sërish.
Rezolutat që ishin nxjerrë pas arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sipas tij, flasin për kufizime të cilat Thaçi asnjëherë nuk i kishte marrë parasysh.
Zogiani po ashtu shpjegon arsyen pse rezolutat nuk mund të kenë asnjë efekt. Dhe për këtë ai përmend si argument marrëveshjen e prillit 2013, në të cilën Qeveria e Kosovës zotohet të vazhdojë dialogun me Serbinë, me lehtësimin e Brukselit, e të cilën vetë Parlamenti e kishte miratuar.
Edhe Isuf Zejna nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KosovaPress, se rezolutat nuk do të mund të kenë asnjë fuqi obligative, çfarë kanë për shembull ligjet.
Por sipas tij, ato paraqesin megjithatë një qëndrim politik për një situatë të caktuar që autoritetet në vend, si Presidenca do të duhej t’i merrte parasysh.
Të hënën kryesia e Kuvendit do të shqyrtojë kërkesën e grupit parlamentar të LDK-së që mbështet nga opozita në parlament, për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator e në të cilën do të propozohet për miratim një rezolutë parlamentare që ndalon presidentin Thaçi dhe këdo tjetër që të diskutojë për kufijtë e Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Ky reagim i opozitës vjen pasi presidenti Thaçi kishte dalë publikisht me idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kundër kanë dalë opozita e shoqëria civile që ka paralajmëruar protestë kundër Thaçit më 5 shtator të këtij viti.
Kundër korrigjimit të kufijve ka dalë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe disa ministra të BE-së.
Derisa duke komentuar kërkesën e opozitës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme dhe miratimin e rezolutës kundër Thaçit, kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për media ka thënë se seanca është vetëm edhe një ngjarje tjetër politike.
Lidhja Demokratike e Kosovës që ka propozuar rezolutën kundër Thaçit, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.












