2 mijë e 200 punëtorë të KEDS-it në grevë: Kërkojnë që pagat t’iu rriten për 150 euro

Rreth 2 mijë e 200 punëtorë të KEDS-it, sa janë në tërë Kosovën, sot pritet të hyjnë në grevë njëditore, prej orës 8.30 deri 16.30, ndërsa protesta po në këtë ditë, do të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Punëtorët e KEDS-it kanë kërkesa për ngritjen e pagave nga 150 euro në pagën bazë dhe […]
Rreth 2 mijë e 200 punëtorë të KEDS-it, sa janë në tërë Kosovën, sot pritet të hyjnë në grevë njëditore, prej orës 8.30 deri 16.30, ndërsa protesta po në këtë ditë, do të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.
Punëtorët e KEDS-it kanë kërkesa për ngritjen e pagave nga 150 euro në pagën bazë dhe zbatimi i kontratës kolektive.
Kryetari i kësaj sindikate, Hysni Gashi, ka thënë se situata në KEDS është mjaft e rëndë, sepse është duke u bërë një nëpërkëmbje e punëtorëve në këtë kompani.
“Duke parë situatën se KEDS-i nuk ka reflektuar nga grevat e mbajtura javë më parë, sërish grevat janë të pashmangshme, ku nesër do të ketë grevë njëditore të punëtorëve të KEDS-it në gjithë Kosovën”, ka thënë Gashi.
Ai shtoi se me kërkesat e punëtorëve, në javët e para të muajit gusht kur u mbajtën grevat njëorëshe në çdo distrikt – ishin paralajmëruese, që nëse nuk ndryshojnë gjërat dhe nëse nuk plotësohen kërkesat e punëtorëve, do të jenë të detyruar të shkojmë në greva të përgjithshme.
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), diskutoi mbi gjendjen aktuale të punëtorëve me theks të veçantë pakënaqësitë te punëtoret e KEDS-it dhe grevën e paralajmëruar për nesër të Sindikatës së ElektroKosovës – FSPE.
Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka theksuar se përmes kësaj greve do t’i shprehin pakënaqësitë punëtorët e KEDS-it lidhur me mosrealizmin e kërkesave të tyre rreth rritjes së pagave dhe të drejtave tjera që parashihen me Ligjin e Punës dhe Kontratën kolektive, të cilat të drejta punonjësve të KEDS-it po u cenohen çdo ditë nga punëdhënësi i tyre.












