Zyrtarët e Listës Serbe pajisen me pasaporta diplomatike të Republikës së Kosovës

Pasaporta diplomatike është dokumenti më i fuqishëm i prezantimit, por nëse e posedon atë, edhe i pranimit të një shteti. Zyrtarë të lartë të Listës Serbe, janë pajisur me këtë dokument, edhe pse në anën tjetër refuzojnë ta pranojnë shtetin e Kosovës, gjë që i bën ata të jenë kontradiktorë, dhe vetëm deklarativisht kundër Republikës […]
Lista Serbe, grupacion politik i dirigjuar direkt nga Beogradi, gjegjësisht presidenti serb Aleksandar Vucic, e pranojnë shtetin e Kosovës, aty ku u konvenon. Gazeta Metro ka siguruar listën me emrat e disa deputetëve dhe zyrtarëve tjerë shtetëror në institucionet e Kosovës nga ky subjekt politik, që kanë marrë pasaporta të shtetit që deklarativisht e refuzojnë.
Këto ditë kur në Serbi ka filluar një fushatë linçuese ndaj Sava Janjicit, prift serb i Manastirit të Deçanit, shkaku i deklaratave të tij kundër ndarjes së Kosovës, i kanë përmendur edhe nënshtetësinë dhe dokumentet e Kosovës që ai i posedon.
Por, nuk është vetëm Janjic që ka marr dokumente të shtetit të Kosovës. Në mesin e atyre që kanë pranuar të pajisen me këto dokumente janë edhe përfaqësues të lartë të Listës Serbe, duke përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut Goran Rakic.
Gazeta Metro ka siguruar një listë, ku shihet se me pasaporta diplomatike të shtetit të Kosovës janë pajisur, deputetë, zv.ministra e edhe kryetari i Mitrovicës së veriut.
Lista e plotë e zyrtarëve të Listës Serbe që kanë marrë pasaportë diplomatike të Republikës së Kosovës:
Goran Rakic, kryetar i Mitrovicës së veriut; Miljana Nikolic, deputete e parlamentit të Kosovës; Boban Stankovic, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Zoran Mojsilovic, deputet i Parlamentit të Kosovës; Milan Radojevic zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme; Aleksandar Spasic, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Verica Ceranic, deputete e parlamentit të Kosovës dhe Milana Nikolic, po ashtu deputete e parlamentit të Kosovës.
Shfrytëzimi i mundësive që i ofron shteti i Kosovës, si në këtë rast me zyrtarët e Listës Serbe është dëshmi shtesë se ata vetëm deklarativisht e refuzojnë Republikën, ndërsa praktikisht e pranojnë atë, njejtë sikurse me veprimin në qeveri, ku zyrtarisht nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet ministrore, edhe pse po vazhdojnë ta bojkotojnë qeverinë dhe koalicionin qeverisës.













