Tahiri: Thaçi po tenton të fshihet pas referendumit, po imiton Vuçiqin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media ka paralajmëruar se po bëhen të gjitha përpjekjet që të procedohet në Kuvend një projektligj që do të mundësonte mbajtjen e referendumeve për çështje të ndryshme. Për këtë çështje, analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për Periskopin se presidenti Thaçi po imiton presidentin serb, […]
Për këtë çështje, analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për Periskopin se presidenti Thaçi po imiton presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili javë më parë kishte paralajmëruar referendumin si zgjidhje për çështjen e Kosovës.
Por, Tahiri e konfirmon në Kosovë mbajtja e referendumit është e ndaluar me ligj, ndërsa në Serbi një gjë e tillë lejohet.
“Kosova e ka të ndaluar me ligj mbajtjen e referendumit. Ligjvënësit kur e kanë bërë Kushtetutën., duke e ditur që popullata shumicë është shqiptare dhe me referendum deklarohet për bashkim me Shqipërinë, kanë dashur të parandalojnë një gjë të tillë dhe Kosova tani është shtet qytetar, dhe në nenin 1, pika 3 e ka të ndaluar bashkimin me shtetet tjera, të një pjese apo të krejt Kosovës, si dhe dhënien apo marrjen e krejt territorit. Kjo është shumë e qartë”, ka thënë Tahiri për Periskopin.

Për t’u ndryshuar kjo gjë, nevojiten edhe votat e Listës Serbe.
“Për me u ndryshu Kushtetuta, nevojiten shumica e kualifikuar e komuniteteve. Domethënë duhet me kanë edhe Lista Serbe dhe për këtë Kosova nuk po mund me ndryshu Kushtetutën dhe andaj nuk po mundet me organizu referendum për çështje të ndryshme, të karakterit të shtetit ose të ndryshimeve më të mëdha”, deklaroi tutje Tahiri.
Sipas tij, Thaçi ka të drejtë me nis një nismë të tillë për ndryshim të Kushtetutës, për të cilën çështje pastaj duhet të deklarohet Kuvendi.
“Me këtë që po e thotë, Thaçi po vihet në rolin e opinionistëve, por presidenti i vendit ka të drejtë me nis një nismë për ndryshim të Kushtetutës dhe me ja procedu Kuvendit, pastaj Kuvendi e ka për detyrë me shqyrtu dhe me u deklaru. Nuk mundet me refuzu. Edhe në këtë rast presidenti mund të kërkojë ligjin për referendum, por ai nuk ka të drejtë ta bëjë. E bën Qeveria. Por presidenti ka të drejtë me propozu që me u ndryshu ai ligj”, shtoi ai.
Tahiri tutje tha se Thaçi nuk është i autorizuar të bisedojë me Serbinë, pasi nuk ka mandat prej Kuvendit.
Sipas tij, presidenti mund të bisedojë me Vuçiqin për çështje të ndryshme politike, por asnjë marrëveshje mes tyre nuk mund të kalojë pa dy tretat e votave të deputetëve.
“Këtë çështjen e referendumit, Thaçi e bën pasi këshilltarët i thonë me kriju si opinion, por ai nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore. Ai tenton të fshihet pas referendumit në deklarim dhe e ndan përgjegjësinë me popullin. Është e drejtë që çështjet e mëdha të kalojnë në referendum”, tha ai.
Ai paralajmëroi se nëse bëhet Ligji për referendum, ai mund të shfrytëzohet edhe për çështje të tjera.
Presidenti Thaçi sot paralajmëroi se është duke bërë përpjekje që të mundësohet mbajtja e referendumeve në Kosovë.
“Ai ka thënë se është duke bërë të gjitha përpjekjet që të procedohet në Kuvend një projektligj ku do të mundësohet edhe mbajtja e referendumeve për çështje të ndryshme. Jam duke bërë përpjekje që në të ardhmen qytetarët të shprehen me referendum. Sidomos për dialogun me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje, ku qytetarët mund të shprehen përmes referendumit. Qytetarët e Kosovës, duhet ta kenë mundësinë që të shprehen për raste të tilla, sidomos tani kur kemi divergjenca të tilla. Sikur të kishim mekanizmin e referendumit, askush nuk do të mundte që përmes populizmit ta pamundësonte votimin e ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Thaçi./Periskopi












