Policia mohon se është e përfshirë në ndonjë skenar për veriun

Policia e Kosovës ka mohuar se është e përfshirë në ndonjë skenar të mundshëm për ndërhyrje në veri, siç u raportua gjatë ditës së djeshme nga mediet serbe, gjë që ngjalli reagime edhe në Kosovë, raporton Periskopi. Përmes një njoftimi për media, Policia ka thënë se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin ato […]
Përmes një njoftimi për media, Policia ka thënë se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin ato janë të pa bazuara dhe të dëmshme për vendin pasi që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe krijojnë pasiguri ndër qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës, si një ndër institucionet kryesore për zbatimin e ligjit, reagon ndaj disa deklarimeve dhe publikimeve, të disa mediave/portaleve për gjoja përfshirjen e Policisë së Kosovës në skenare të ndryshme dhe për hirë të informimit të drejtë dhe korrekt, njofton qytetarët e vendit dhe mediat se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin ato janë të pa bazuara dhe të dëmshme për vendin pasi që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe krijojnë pasiguri ndër qytetarët e Republikës së Kosovës.
Tutje, Policia ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre provokimeve.
“Ju konfirmojmë se detyrat e autorizimet e përgjithshme të Policisë së Kosovës janë të përcaktuara me ligjin për policinë, të orientuara në mbrojtjen e jetës, pronës dhe ofrimit të sigurisë, mbroj të drejtat dhe lirit themelore të të gjithë personave, garantimin e lëvizjes dhe shprehjes së lirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, menaxhoj dhe kontrolloj kufirin shtetëror, ofroj ndihmë gjatë fatkeqësive natyrore dhe në raste tjera emergjente. Prandaj inkurajojmë të gjithë, në veqanti qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave dhe spekulimeve të ndryshme, por të shfaqin besim si deri më tani në punën e Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e saj kushtetues dhe ligjor për rend, qetësi dhe siguri të përgjithshme në vend”, thuhet tutje në reagim të Policisë.
Për këtë çështje mbrëmë reagoi edhe deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sfeçla, i cili tha se i druhet eskalimit të situatës në veri.
Për këtë, Sfeçla përmendi edhe vendimin e papritur të Policisë së Kosovës për ndërprerjen e dhënies së lejes për pushime për zyrtarët policorë.
Raportimet për këto skenare vijnë pas deklarimeve të vazhdueshme për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve me një marrëveshje finale nga dialogu me Serbinë./Periskopi












