Murati: Nuk do të kishte fat më të madh se ridefinimi i kufijve me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati përmes një postimi në Facebook thotë se është pro ridefinimit të kufijve me Serbinë, duke u bazuar në vullnetin e popullit shqiptar e serb për vetëvendosje. Sipas tij kufijtë aktual të Kosovës janë kufij të kolonializmit dhe shovinizmit serbomadh. “Nuk kanë qenë as nuk janë në funksion të […]
Sipas tij kufijtë aktual të Kosovës janë kufij të kolonializmit dhe shovinizmit serbomadh.
“Nuk kanë qenë as nuk janë në funksion të interesave të popullit shqiptar. Andaj është për t’u çuditur për zellin që kanë një pjesë e njerëzve në Kosovë, figurave publike, politikanëve dhe gazetarëve për t’u paraqitur si mbrojtës të këtyre kufijve. Personalisht, kam drojë se krejt kjo zhurmë po bëhet që si fund të kemi një gjysmë-marrëveshje, që do ta betonizonte asociacionin apo edhe ndonjë lloj autonomie të serbëve në Kosovë. Kjo do të ishte zgjidhja më e keqe e mundshme nga të gjitha variantet e që do të përpiqet të shitet si fitore e madhe për Kosovën dhe integritetin e saj territorial”, ka shkruar Murati.
Kreu i LB-së shton se nuk do të kishte fat më të madh sesa ridefinimi i kufijve me Serbinë.
“Përndryshe, nuk do të kishte fat më të madh, sesa si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë të ndodhte ridefinimi i kufijve me Serbinë, duke u bazuar në vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe të atij serb në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ky do të përbënte hapin qenësor për shndërrimin e Kosovës në një shtet tërësisht funksional e normal dhe do ta mbyllte në mënyrë paqësore konfliktin shqiptaro-serb”, është shprehur Murati.
Ai ka shtuar se, “përndryshe, qëndrimi kundër idesë së reciprocitetit deri në ridefinim të kufirit, është qëndrim në favor të asociacionit. E ky asociacion, së bashku me fuqinë bllokuese të serbëve në Kuvend, nesër do të na sjellë ndarjen. Pra, do ta mundësojë realizimin e plotë të synimit të Serbisë”.












