Krejt AAK-ja kundër Thaçit, hesht PDK-ja

Zyrtarët e AAK’së, rend me rend, po dalin kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Vetëm të shtunën, kundër idesë së Presidentit dolën Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj e Ardian Gjini. Madje, ky i fundit e quajti idiote idenë për ndryshim kujfijsh. Vetëm Partia e themeluar nga Hashim Thaçi nuk e ka qartësuar deri në fund qëndrimin […]
Vetëm Partia e themeluar nga Hashim Thaçi nuk e ka qartësuar deri në fund qëndrimin lidhur me idenë e Presidentit për ndryshim të kufijve dhe bashkim të Luginës me Kosovën apo ndarjen e Veriut.
Për këtë temë, po vazhdojnë deklarimet e të gjitha partive tjera, në Qeveri, e opozitë.
Madje, Kryeministri Haradinaj dhe zyrtarët tjerë të AAK’së kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Vetëm të premten kundër idesë së Presidentit dolën tre zyrtarë të lartë të Partisë së Kryeministrit.
Ardian Gjini, Nënkryetar i AAK’së, ka quajtur idiote dhe të rrezikshme idenë që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë territor duke lëvizur kufijtë.
“Ideja” e shkëmbimit të territoreve është e rrezikshme dhe idiote! Po shpresoj që njerëzit që po spekulojnë do ta kuptojnë se po e rrezikojnë stabilitetin dhe zhvillimin edhe për dy ose tri gjenerata! Asgjë nuk do ta kompensojë këtë aventurizëm idiotesk. Askush nuk do të pësojë përpos shqiptarëve, prandaj të tjerët e marrin me “sportivitet” këtë ide!”, ishte reagimi i mbrëmshëm i Gjinit.
Idenë për të shkëmbyer një pjesë të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës e kanë përkrahur shumë Lutfi Haziri i LDK’së si dhe akademiku Rexhep Qosja.
Kohëve të fundit indirekt, e ka përmendur edhe presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit nuk ka folur direkt per shkëmbim të territoreve, por ka thënë se po punon që Luginën e Preshevës të ia bashkojë Kosovës.
Edhe Daut Haradinaj kishte thënë se idetë e tilla janë sllave dhe ruse.
“Aq mandat sa kam unë edhe si deputet edhe si person, jam absolut kundër çdo ndërrimi të kufijve. Nuk e mbështeti, janë ide sllavo -ruse”, tha Haradinaj për Gazetën Express.
“Ideja për ndërrim të kufijve është ide për konflikt të ri edhe kjo s’ka lidhje kush e thotë, kjo tendencë na çon në situata të reja të cilat nuk janë të mira as për Kosovën as për Serbinë”, thekson deputeti i AAK’së.
Ndryshe Presidenti Hashim Thaçi është duke e përmendur këtë opsion gjithnjë e më shpesh duke thënë se në bisedime do të paraqitet ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës, për çka e thekson edhe vet se Serbia vështirë se do ta pranojë.
Në anën tjetër, Ramush Haradinaj e ka përmendur luftën nëse dikush i prek kufijtë e Kosovës.
“Nuk ka asnjëri që dëshiron lëvizjen kufijve, vetëm njërit i shkon, ai është Vladimir Putin. Ai ka dëshirë m’i lëvizë në Bosnjë, që të përfitojë precedent. Është gabim që ne t’i ndihmojmë Putinit për ndarje dhe lëvizje”, ka thënë Haradinaj.












