Gruaja e Komandantit të Policisë vozitet me veturë zyrtare (Video)

Bashkëshortja Osman Ismajlit, komandant i stacionit të Policisë në Rahovec, siç shihet në disa video udhëton shpesh me veturë zyrtare të Policisë. Siç shihet në videot e dërguara nga një qytetar, në së paku tetë raste Lirije Osmani, bashkëshortja e komandantit të policisë Osman Ismajli, ka udhëtuar më veturën zyrtare të Policisë. Osman Ismajli, komandant […]
Siç shihet në videot e dërguara nga një qytetar, në së paku tetë raste Lirije Osmani, bashkëshortja e komandantit të policisë Osman Ismajli, ka udhëtuar më veturën zyrtare të Policisë.
Osman Ismajli, komandant i stacionit në Rahovec, përmes telefonit, fillimisht ka thënë se gruaja e tij udhëton me autobus.
“Jo, gruaja udhëton me autobus”, tha Ismajli.
Mirëpo, kur është pyetur në lidhje me videot në të cilat shihet Lirije Ismajli, gruaja e tij duke udhëtuar me veturë zyrtare, Ismajli nuk e mohon faktin se kjo ka ndodhur me të vërtetë.
“Ka ndodhë më herët, por kjo nuk ndodhë më. Ka ndodhur për ndonjë rast të veçantë, përndryshe jo” tha Ismajli për kallxo.com
Komandanti Ismajli tha se nuk është e ndaluar që familjarët të udhëtojnë me veturë të Policisë, por nuk është as e lejuar të përdoren veturat zyrtare për bartjen e familjarëve.
“Nuk është e ndaluar, por nuk është e lejuar shkruan, jo vetëm familjarët, por askënd përveç atyre të cilët janë të arrestuar ose të shoqëruar”, tha Ismajli.
Bashkëshortja e Osman Ismajlit, Lirie Ismajli shihet duke udhëtuar me veturën zyrtare të Policisë së paku tetë herë.
Policia në Gjakovë nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje.
As Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk ka dhënë detaje nëse kjo është e ndaluar.
“Shfrytëzimi i automjeteve të PK-së është i rregulluar përmes rregulloreve të brendshme të PK-së, ku përcaktohen edhe kufizimet e përdorimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme.
Në përgjigjet e Zyrës për Media të Policisë së Kosovës, nuk kanë treguar nëse lejohet bartja e familjarëve me vetura zyrtare.
Poashtu në përgjigjet e tyre Policia e Kosovës nuk ka sqaruar se çfarë lejon e çfarë nuk e lejon rregullorja për shfrytëzimin e veturave të policisë nga ana e pjesëtarëve të saj policorë.












