AP: Thaçi i hapur për të diskutuar korrigjimin e kufijve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së vendit përgjatë vijave etnike për të zgjidhur një mosmarrëveshje rreth pavarësimit të saj nga Serbia. Por presidenti Thaçi në një intervistë për Associated Press sot tha se ai është i hapur për të diskutuar “një korrigjim” të kufijve gjatë negociatave paqësore ndërmjet Kosovës […]
Por presidenti Thaçi në një intervistë për Associated Press sot tha se ai është i hapur për të diskutuar “një korrigjim” të kufijve gjatë negociatave paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkesa e Serbisë për një ndarje të Kosovës nuk do të jetë e suksesshme. Është e papranueshme”, tha ai.
Sipas AP-së, Qeveria serbe ka thënë se një zgjidhje e mundshme mund të jetë një shkëmbim territoresh duke bazuar në atë ku serbët dhe shqiptarët janë të përqendruar, rajoni i Mitrovicës veriore të Kosovës për Luginën e Preshevës në Serbi.
Në intervistën për AP, Thaçi tha se nuk do të ketë “ndarje por një korrigjim të kufijve”, me një bashkim të mundshëm të Luginës së Preshevës me Kosovën. Ai nuk tha nëse do të shkëmbehej për Mitrovicën e veriut.
Presidenti ishte i vendosur që negociatat me Serbinë, nën udhëheqjen e BE-së dhe të ndjekura nga afër nga Shtetet e Bashkuara, do të rezultonin së shpejti në njohjen reciproke.
“Nëse korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi dhe marrëveshja përfundimtare mbi njohjen reciproke arrihen, nëse një marrëveshje e tillë është e dyanshme dhe e balancuar, do të thotë një fitore e favorshme për të dyja palët, atëherë askush nuk do të ishte kundër saj”, tha ai.












