Sërish akuza për falsifikime dhe avancime jomeritore në UP

Kandidatja për profesoreshë asistente në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), Miribane Dërmaku-Sopjani po e akuzon dekanin e këtij fakulteti, Tahir Arbneshi, se ka ndikuar tek komisioni vlerësues që ta pengojë për t’u avancuar në konkursin e fundit të Universitetit të Prishtinës. Ajo thotë se dekani i ka nxitur kryetarin e Komisionit, Ismet Hashani dhe anëtarin […]
Ajo thotë se dekani i ka nxitur kryetarin e Komisionit, Ismet Hashani dhe anëtarin e Komisionit, Ramiz Hoti që të votojnë kundër saj, ndonëse me Statut të UP-së dekani nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështje të tilla, shkruan sot Koha Ditore.
Kandidatja Sopjani ka akuzuar këta dy persona se e kanë shkelur Statutin e UP-së duke rekomanduar një person i cili nuk i plotëson kriteret. Përveç tjerash, ajo thotë se kandidati Ismaili ka falsifikuar dokumentet kur është pranuar si asistent, në vitin 2004.
Gazeta ka siguruar një dokument të Këshillit të FSHMN-së të vitit 2004, kur Hamit Ismaili është zgjedhur për herë të parë si asistent. Në këtë dokument data e lindjes së tij është 23.04.1976, teksa në buletinin e Fakultetit për konkursin aktual data e lindjes së tij është 23.04 1973.
Kandidatja Dërmaku-Sopjani thotë se Ismaili e ka falsifikuar këtë datë për të tejkaluar kriterin e moshës (pasi kur ka aplikuar për herë të parë ka qenë mbi moshën e lejuar për pranim si asistent).
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me kandidatin Hamit Ismaili për të marrë një qëndrim rreth mospërputhjes së datës së lindjes së tij në dokumente, por ai nuk e ka hapur telefonin. Vlerësimi pozitiv për Hamit Ismailin, të cilin e kanë votuar dy anëtarët e Komisionit vlerësues të FSHMN-së, është aprovuar në fund të javës nga Këshilli i Fakultetit.
Dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi nuk e ka komentuar nëse ai ka ndikuar tek Komisioni që Dërmaku-Sopjani të mos avancohet. Sipas tij, Komisioni vlerësues i ka paraqitur Këshillit të Fakultetit dy raporte me vlerësime. Në njërin raport dy anëtarët e Komisionit kanë votuar pro zgjedhjes së Hamit Ismailit, kurse në raportin tjetër, Arleta Rifati ka votuar pro zgjedhjes së kandidates Sopjani.












